• Friday, 21 February 2025

Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj zinxhirit të marketeve që janë dakorduar për çmimet

Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj zinxhirit të marketeve që janë dakorduar për çmimet

Shkup, 20 shkurt 2025 (MIA) - Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës në kuadër të kompetencave të përcaktuara në Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës dhe Ligjin për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit me produkte bujqësore dhe ushqimore, ka kryer një riinspektim të paparalajmëruar në katër zinxhirët tregtar dhe në një nga odat ekonomike në të cilën janë të bashkuara të njejtat.

"Inspektimi është kryer për shkak të dyshimit se disa rrjete marketesh që merren me tregti me pakicë të produkteve ushqimore dhe joushqimore kanë shkelur nenin 7 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili ndalon kartelet, përkatësisht ndalon marrëveshjet dhe sjelljet e bashkërenduara të dy ose më shumë ndërmarrjeve, me qëllim të prishjes së konkurrencës. Gjatë kontrollit në ambientet zyrtare të personave juridikë, është kryer mbikëqyrja e dokumentacionit zyrtar dhe kontrolli i mjeteve të komunikimit elektronik, gjatë të cilit janë konstatuar prova se ata kishin marrë një vendim të kundërligjshëm, të cilin e kishin shpallur publikisht përmes mediave", thuhet në kumtesën e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës të publikuar në Fejsbuk.

Siç bëhet me dije, subjektet e kontrolluara, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, kanë marrë vendim të ndaluar, përkatësisht janë pajtuar që të veprojnë bashkë dhe të mos blejnë mallra nga furnitorët të cilët do të paraqesin çmime të reja për produktet e tyre, për të cilat është iniciuar procedurë kundërvajtëse.

Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës bën me dije se është duke kryer intensivisht kontrolle tek disa persona juridikë që kanë aksione në zinxhirin e furnizimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore dhe do të marrë masat dhe sanksionet më rigoroze për çdo deformim të konkurrencës në treg dhe nuk do të lejojë asnjë anashkalim të ligjeve në dëm të qytetarëve. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s