Kadriu: Gjykata Kushtetuese ka ngritur procedurë për gjykimin e dispozitës për vlerësim të stazhit të anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publik
- Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka vendosur të iniciojë procedurë për vlerësimin e stazhit të anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë të cilët zgjidhen nga radhët e prokurorëve publikë. Ky vendim është rezultat i iniciativës së prokurores Lençe Ristoska, e cila kundërshtoi nenin 4, paragrafin 7 të Rregullores për punë të Këshillit. Sipas dispozitës së kontestuar, mandati i këtyre anëtarëve konsiderohet si përvojë e vlerësuar pozitivisht në prokurorinë publike, përveç rasteve të parashikuara në nenin 35-a të Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publikë.
- Post By Sara Ademi
- 16:41, 19 February, 2025

Shkup, 19 shkurt 2025 (MIA) - Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka vendosur të iniciojë procedurë për vlerësimin e stazhit të anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë të cilët zgjidhen nga radhët e prokurorëve publikë. Ky vendim është rezultat i iniciativës së prokurores Lençe Ristoska, e cila kundërshtoi nenin 4, paragrafin 7 të Rregullores për punë të Këshillit. Sipas dispozitës së kontestuar, mandati i këtyre anëtarëve konsiderohet si përvojë e vlerësuar pozitivisht në prokurorinë publike, përveç rasteve të parashikuara në nenin 35-a të Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publikë.
Gjyqtari raportues, Osman Kadriu, në një deklaratë për media pas seancës së sotme, tha se një përcaktim i tillë i Këshillit të Prokurorisë Publike dhe një vlerësim kaq pozitiv i punës së tyre është absurd dhe në kundërshtim me ligjin e përgjithshëm të vendit tonë dhe Kushtetutën e vendit.
"Anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë Publike, të cilët zgjidhen nga radhët e prokurorëve me vetë zgjedhjet, u pushon funksioni dhe vazhdojnë të punojnë në detyra krejtësisht të ndryshme që nuk kanë të bëjnë me funksionin prokurorial. Në këtë mënyrë bëhet diskriminim edhe ndaj prokurorëve të tjerë të cilët aplikojnë dhe presin një avancim të caktuar në bazë të vlerësimit pozitiv", theksoi Kadriu.
Sipas Kadriut, pyetja se si mund të vlerësohet puna e tyre është legjitime dhe si vlerësim pozitiv, i cili vlen vetëm për funksionin prokurorial dhe kryerjen e funksionit prokurorial.
"Sinqerisht shtrohet pyetja se si mund të vlerësohet si funksion prokurorial, funksioni i anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë që nuk e kanë kryer atë funksion, të cilët nuk janë bartës të atij funksioni. Karriera dhe avancimi fitohen vetëm për punën dhe detyrat e punës dhe për punën e bërë në vendin e punës ku kryejnë punën..., ndërsa anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publikë janë anëtarë, ligjërisht dhe objektivisht, faktikisht dhe fizikisht nuk punojnë si prokurorë dhe nuk mund të punojnë, sepse funksioni i tyre është në pezullim dhe kryejnë detyra të tjera që nuk janë të cilësuara dhe nuk përfaqësojnë veprimtari të prokurorisë", deklaroi Kadriu.
Pas seancës, Gjykata, tha Kadriu, njëzëri vendosi që të vendosë për fillimin e procedurës lidhur me atë dispozitë, e cila, siç theksoi, "është skandaloze nga perspektiva dhe kriteri i ligjit dhe Kushtetutës".
Kadriu po ashtu ka bërë të ditur se ka pasur propozim për marrjen e masës së përkohshme për ndalimin e zbatimit të mëtejmë të këtij akti, derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë për fatin e tij ligjor. Por ky propozim nuk mori shumicën e kërkuar.
Në iniciativë thuhet se dispozita e kontestuar është në kundërshtim me Amendamentin XXX të Kushtetutës, nenin 7 të Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publikë dhe nenet 36 dhe 62 të Ligjit për Prokurorinë Publike. Parashtruesi i kërkesës thekson se anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publikë të zgjedhur nga radhët e prokurorëve publik gjatë kohëzgjatjes së mandatit nuk kryejnë funksione prokuroriale publike dhe nuk mund të vlerësohen, përkatësisht nuk mund të realizojnë "stazh të vlerësuar pozitivisht prokurorial publik" në periudhën e caktuar. Pretendohet se kjo është një çështje që nuk mund të rregullohet me Rregullore, sepse fillimisht nuk ka qenë e rregulluar me rregullore ligjore, kështu që lihet përshtypja se anëtarët i kanë dhënë vetes një të drejtë dhe përfitim që ligjvënësi nuk ua ka garantuar. Këtë përfitim e gëzojnë vetë anëtarët të cilët pas përfundimit të mandatit në Këshillin e Prokurorëve Publikë avancohen në pozita më të larta në prokuroritë publike", thuhet në nismë. sa/
Foto: MIA