• Thursday, 09 April 2026

Gatishmëria institucionale dhe qasja e gjerë shoqërore – çelës për përballimin e ndërhyrjeve të huaja me informata

Gatishmëria institucionale dhe qasja e gjerë shoqërore – çelës për përballimin e ndërhyrjeve të huaja me informata

Shkup, 8 prill 2026 (MIA) – Manipulimi dhe ndërhyrja e huaj me informata paraqet kërcënim serioz dhe në rritje për proceset demokratike. Kjo kërkon gatishmëri të qartë institucionale, koordinim dhe një qasje që përfshin të gjithë komunitetin. Ky ishte konstatimi nga tryeza e rrumbullakët, e organizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit (IKS), ku ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë theksuan se lufta kundër manipulimit dhe ndërhyrjes me informata (SMMI) nuk është vetëm çështje sigurie, por edhe shoqërore, dhe se çelësi qëndron në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, theksoi se shteti është në fillim të një procesi të ri dhe kompleks, por të domosdoshëm për mbrojtjen e institucioneve demokratike.

"Bëhet fjalë për një fushë në të cilën ende nuk është zgjedhur, ndoshta, modeli më i përshtatshëm. Pikërisht për këtë arsye, sot si Qeveri, tregojmë dy gjëra: vullnet politik për të hapur dialogun për këtë temë, për të shprehur interes dhe për të demonstruar gatishmëri institucionale për t’u përballur me këto çështje", theksoi ajo në një deklaratë para ngjarjes që po mbahet në Shkup.

Sipas Mitevës, tashmë janë ndërmarrë hapat fillestarë.

"Nga ajo që kemi bërë deri tani, kemi formuar një grup joformal pune me përfaqësues nga institucionet përkatëse. Vërejtëm se brenda institucioneve, tek punonjësit përgjegjës për sektorët e marrëdhënieve me publikun, ekziston një njohuri solide për atë që nënkupton ndërhyrje dhe manipulim i huaj me informacionin, që paraqet një fillim të mirë",tha ajo.

Ajo shtoi se tani po shqyrtohet krijimi i një trupi koordinues dhe se parandalimi është çështje kyçe, edhe kur nuk ka raste të evidentuara konkrete.

Eksperti i pavarur për manipulimtëe huaj me informata, Federiko Gjulio Sikarella, vlerësoi se procesi që zhvillohet në vend është pjesë e një trendi më të gjerë evropian dhe global.

"Sipas përvojës sime në këtë fushë, vërej një lloj përparimi gradual, por të qëndrueshëm drejt institucionalizimit të përgjigjeve ndaj ndikimit të huaj dhe manipulimit të informacionit. Kemi disa shembuj të shkëlqyer në vende evropiane si Suedia, Franca, Ukraina, dhe ajo që po ndodh këto ditë këtu, në Maqedoninë e Veriut, është pasqyrim i atij momentumi që, sipas meje, tashmë ekziston dhe është në zhvillim", tha ai.

Sikarella theksoi se përgjigjja institucionale nuk është e mjaftueshme.

"Është thelbësore të ndërtohet gatishmëri institucionale për t’u përballur me problemin dhe kërcënimin nga manipulimi me informatat. Por, problemi i manipulimit të informacionit është shumë më i gjerë. Është problem shoqëror dhe kërkon një qasje që përfshin të gjithë komunitetin. Për mua, hapi i radhës, pasi të vendosen procedura të mira dhe të përshtatshme institucionale, është të hapet realisht hapësira për debat dhe të përfshihet sektori civil, komuniteti akademik dhe sektori privat, me qëllim krijimin, vendosjen dhe zbatimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse. Shkaku se problemi është vërtet i përhapur gjerësisht – nuk është vetëm çështje sigurie, por edhe shoqërore dhe shqetësim për çdo shtet demokratik, përfshirë këtu edhe Maqedoninë e Veriut", theksoi ai.

Përfaqësuesja e OSBE/ODIHR, Françeska Boçeli, theksoi se manipulimi me informatat është një sfidë globale.

"Ajo që dua të ndaj është se kjo është një sfidë globale dhe askush nuk mund të përballet i vetëm me të. Prandaj, qasja që përfshin më shumë palë të interesuara është ajo që jep rezultate më të mira. Të suksesshme janë ato vende që arrijnë të vendosin një sistem funksional, që nënkupton kohezion dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile", theksoi ajo.

Përfaqësuesi i Shërbimit për Komunikime të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar (GCSI), Xho MekKarron-Shipman, theksoi se aktorët e huaj që manipulojnë me informacione veprojnë në mënyrë të organizuar dhe adaptive dhe se procesi kërkon me të vërtetë inteligjencë të fuqishme njerëzore.

"Duke bashkëpunuar së bashku, mund, së pari, të ndajmë barrën e burimeve analitike, por gjithashtu t’u lëmë atyre më pak hapësira për t’u fshehur. Kjo është një fushë ku ne qendrojmë shumë mirë në Mbretërinë e Bashkuar – të sigurohemi që punojmë së bashku me partnerët tanë për të kufizuar aftësinë e këtyre aktorëve për t’u fshehur, si në internet ashtu edhe fizikisht. Në thelb, ky bashkëpunim do ta bëjë këtë aktivitet jofitimprurës. Kjo nuk do të ndodhë brenda natës, por do ta bëjë më të vështirë për një qeveri të huaj të realizojë një fushatë të suksesshme", tha ai.

Mesazhet nga tryeza e rrumbullakët janë të qarta – përballimi i manipulimit dhe ndërhyrjes së huaj me informata është një proces afatgjatë që kërkon vullnet politik, kapacitet institucional dhe përfshirje të të gjithë shoqërisë, ndërsa vendi ynë, sipas folësve, ka bërë një hap të rëndësishëm fillestar në këtë drejtim.

Foto: MIA