• Monday, 31 March 2025
English
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Fillon linja e re e rregullt ajrore nga Stambolli për në Ohër e aviokompanisë "Turkish Erllajns"

Fillon linja e re e rregullt ajrore nga Stambolli për në Ohër e aviokompanisë

Ohër, 27 mars 2025 (MIA) - Në aeroportin e Ohrit, "Shën Apostull Pali" sot ateroi aeroplani i parë i aviokompanisë ""Turkish Erllajns" në linjën e re të rregullt nga Stambolli për në Ohër.

Në solemnitetin me rastin e fluturimit inaugurues, morën pjesë mysafirë të shumtë, mes të cilëve kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolovski, drejtori kryesor ekzekutiv i "TAV Aeroporte" Serkan Kaptan, drejtoi kryesor ekzekutiv i "Turkish Erllajns",  Bilal Ekshi, ambasadori turk, Fatih Ulusoj, kryetari i komunës së Ohrit, Kirill Pecakov, përfaqësues të tur-operatorëve të kapaciteteve të hoteleve në rivierën e Ohrit dhe Strugës.

Të pranishmëve iu drejtua kryeministri Mickoski, i cili tha se zhvillimi i linjave të reja ajrore nuk është vetëm çështje teknike, por investim strategjik në të ardhmen e ekonomisë kombëtare, turizmit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Sipas tij, vendi me lokacionin e tij strategjik në Ballkan, ka potencial të bëhet qendër e rëndësishme e trafikut ajror. Prandaj, synimi i Qeverisë është që në mënyrë aktive, siç tha ai, të punojë në vendosjen e linjave të reja ajrore, inkurajimin e kompanive me buxhet të ulët, modernizimin e aeroporteve dhe promovimin e vendit si qendër aviotransportuese.

"Vendosja e linjave të reja ajrore nënkupton lidhje më të shpejta dhe më të lehta me botën, rritje të turizmit, mundësi të reja ekonomike dhe përmirësim të imazhit të vendit tonë. Vendi ynë ka potencial të madh turistik. Nga malet piktoreske, liqenet e bukura dhe trashëgimia e pasur kulturore, tek ngrohtësia dhe mikpritja e qytetarëve tanë - e gjithë kjo e bën Maqedoninë destinacion tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj. Prandaj, Qeveria jonë është duke punuar në mënyrë aktive në krijimin e politikave dhe masave që do të inkurajojnë sektorin e turizmit", tha Mickoski.

Me këtë rast, siç tha ai, po investohet në rrugë, aeroporte dhe lidhje hekurudhore, si dhe po punohet për promovimin e vendit si destinacion turistik me mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme turistike.

"Qëllimi ynë është i qartë - ta bëjmë Maqedoninë jo vetëm destinacion për t'u vizituar, por edhe vend ku turistët do të kthehen përsëri dhe përsëri. Hapi i sotëm është vetëm fillimi. Besojmë se me përpjekje të përbashkëta, do të krijojmë një Maqedoni më të fortë, më të qasshme dhe të lidhur globalisht", tha Mickoski.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, theksoi se linja ajrore sot e vendosur për në Stamboll, është pjesë e vizionit për zhvillimin e vendit, për të cilin tha se tashmë po i jep rezultatet e para.

"Ky është rezultat i një strategjie të mirëmenduar, një strategji të subvencionimit, që ne e bëjmë prej kur jemi zgjedhur. Tashmë kemi dy destinacione të reja për në Ohër, janë Stambolli dhe Bazeli dhe kemi tetë destinacione të reja nga Shkupi. Por nga të gjitha dhjetë destinacionet, Stambolli është më i rëndësishmi për mua, pasi hap një derë të re për Aeroportin e Ohrit dhe gjithë rajonin. Jemi në negociata dhe ato së shpejti duhet të përmbyllen me një kompani të madhe, e cila pres të sjellë dy deri tre destinacione të reja dhe në këtë mënyrë të rritet numri i destinacioneve në Aeroportin e Ohrit", tha Nikolloski.

Ai gjithashtu theksoi se hapja e autostradës prej 40 kilometrave nga Vërbjani për në Ohër, sigurisht se do të thotë shumë për aeroportin e Ohrit.

Drejtori i ekzekutiv i "Turkish Erllajns", Bilal Ekshi përkujtoi se linja ajrore ka 480 aeroplanë në flotën e saj, me fluturime në 353 destinacione në 131 vende në të gjitha kontinentet.

"Ohri me bukuritë e tij natyrore është destinacioni i ri i kompanisë sonë. Fakti që ne fluturojmë në numrin më të madh të vendeve në botë do të thotë se nuk do të sjellim mysafirë vetëm nga Stambolli, por nga tërë bota dhe qytetarët e Maqedonisë do të mund të fluturojnë në gjashtë kontinente përmes linjes sonë”, tha ai.

Sipas paralajmërimeve paraprake, "Turkish Erllajns" do të kryejë fluturime në linjën Stamboll-Ohër katër herë në javë, të hënën, të enjten, të premten dhe të dielën. Aviokompania turke për këtë do të përdorë aeroplanët "Erbas A321", "Boing 737-800" dhe "Boing 737-900" nga flota e saj. bsh/

Фото: МИА