• Saturday, 28 December 2024

Durmishi: Nëse vazhdojnë të rrisin çmimet, vendimi për ngrirjen e çmimeve është gati

Durmishi: Nëse vazhdojnë të rrisin çmimet, vendimi për ngrirjen e çmimeve është gati

Shkup, 27 dhjetor 2024 (MIA) - Qeveria tani për tani nuk do të marrë vendim për ngrirjen e çmimeve, sepse, siç mund të shihet nga dje në raftet e marketeve, ka pasur rënie të çmimeve të produkteve, të cilat janë rritur në muajin e kaluar, informoi ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi në konferencën e sotme për media.

Ai i porositi tregtarët se nëse vazhdojnë të rrisin çmimet, vendimi për ngrirjen e çmimeve është gati dhe do të thirret menjëherë seancë të Qeverisë.

“Sot kemi një vendim përgatitur tashmë për ngrirjen e çmimeve, por tani për tani nuk do t'ia propozojmë Qeverisë, do të monitorojmë situatën e çmimeve. Nëse ndodh një rritje e përnjëhershme e çmimeve, unë menjëherë do të kërkoj që të thirret seancë e jashtëzakonshme e Qeverisë dhe të propozoj vendim për ngrirjen e çmimeve. Pas paralajmërimit tonë, tregtarët erdhën në vete dhe ulën çmimet, sepse siç thashë dhe do ta përsëris tani, nuk do të lejojmë rritje lakmitare të çmimeve të produkteve ushqimore bazë gjatë festave", tha Durmishi.

Ministri Durmishi theksoi se nga informacionet e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, i cili ishte në terren, çmimet e disa prej produkteve ushqimore bazë në disa markete tashmë janë ulur, e në disa tregje çmimet janë ulur nga 20 në 25%.

"Disa nga marketet që kanë publikuar fletushka të reja kanë ulur çmimet e produkteve, të cilat janë rritur ditët e fundit, si vezët, vaji ushqimor, disa nga produktet e thata të mishit, mishi, qumështi, gjalpi, fasulet dhe produktet shtesë. Në të njëjtën kohë, për vetëm një ditë, mbi 50 produkte të reja janë shtuar në shportën e Vitit të Ri dhe kanë arritur një numër prej pothuajse 1,180 produktesh", shprehet Durmishi.

Ai i porositi tregtarët se edhe një herë nuk do të tolerohet sjellja e tyre dhe nuk do të ketë paralajmërime, si deri tani. Durmishi theksoi se çmimet monitorohen çdo ditë dhe paralajmëroi tregtarët nëse përpiqen të rrisin përsëri çmimet, si Qeveri ata kanë mekanizma për të miratuar menjëherë vendim, pas çka do të vijojnë dënime, e siç tha ai, madje edhe mbylljen e marketeve.

I pyetur për çmimin e naftës për ushqim, Durmishi shprehet se është një produkt burse dhe njoftimet janë se shiten pa fitim, por nëse në terren tregtarët e rrisin dhe kanë mashtrim me çmimin, në rast të tillë vendimi për ngrirjen e çmimeve është gati dhe menjëherë do të thërrasë seancën e jashtëzakonshme të Qeverisë.

"Ne nuk do të tolerojmë mashtrim me çmime, do të thërrasim menjëherë seancë të jashtëzakonshme për të ngrirë çmimet", porositi Durmishi.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës deklaroi se për momentin tregtarët nuk mund të marrin dënim, meqë kjo masë “Shporta konsumatore e Vitit të Ri” rezulton prej tyre, por ai pret që ata të jenë të përgjegjshëm në aspektin shoqëor, siç kanë premtuar gjatë bisedimeve.

Masa zgjat edhe 20 ditë, ndërsa i pyetur për shportën e re për festat e ardhshme të Ramazanit dhe Pashkëve, Durmishi u përgjigj se do të mendojnë se si do ta realizojnë. sa/

Foto: MIA