Tusk: Polonia prej kohësh dyshonte se Hungaria e informonte Rusinë për mbledhjet e Këshillit të BE-së
- Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk mbrëmë deklaroi se Varshava "dyshonte" se qeveria e Hungarisë për vite me radhë e ka informuar Rusinë për mbledhjet e Këshillit të BE-së.
- Post By Qefsere Abduli
- 08:37, 23 mars, 2026
Varshavë, 23 mars 2026 (MIA) - Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk mbrëmë deklaroi se Varshava "dyshonte" se qeveria e Hungarisë për vite me radhë e ka informuar Rusinë për mbledhjet e Këshillit të BE-së.
Deklarata e tij erdhi pasi "Uashington Post", duke u thirrur në burime të paidentifikuara të sigurisë, raportoi se qeveria hungareze e udhëhequr nga kryeministri Viktor Orban i kishte siguruar Moskës qasje në diskutimet për tema të ndjeshme në Bashkimin Evropian.
Sipas "Uashington Post", shefi i diplomacisë hungareze, Peter Sijarto gjatë pauzave të mbledhjeve të Këshillit të BE-së e ka informuar ministrin e Punëve të Jashtme ruse Sergej Lavrov.
"Lajmi se njerëzit e Orbanit në detaje e kanë informuar Moskën për mbledhjet e Këshillit të BE-së nuk duhet të habisë askënd. Prej kohësh kemi dyshime për këtë. Kjo është një nga arsyet pse flas vetëm kur është absolutisht e nevojshme dhe them vetëm aq sa duhet", shkroi Tusk në X.
Sijarto iu përgjigj Tusk në X, duke e akuzuar se po përhap "lajme të rreme".
"Lajme të rreme, si zakonisht. Po thoni gënjeshtra për të mbështetur partinë Tisa dhe për të krijuar një qeveri marionetë pro-ruse në Hungari. Nuk do ta merrni", deklaroi Sijarto.
Tisa është partia kryesore opozitare në Hungari, e cila aktualisht kryeson në sondazhe, tre javë para zgjedhjeve parlamentare.
Marrëdhëniet mes Varshavës dhe Budapestit janë të tensionuara pasi Hungaria ka bllokuar ndihmën evropiane për Ukrainën dhe mban lidhje të ngushta me Rusinë. qa/
Foto: EPA