• Friday, 21 February 2025

Zelenski: Bisedimet me të dërguarin amerikan e kthyen shpresën për marrëveshje me SHBA-në

Zelenski: Bisedimet me të dërguarin amerikan e kthyen shpresën për marrëveshje me SHBA-në

Kiev, 21 shkurt 2025 (MIA) – Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski premtoi se Kievi do të punojë shpejtë në përgatitjen e një marrëveshjeje të fuqishme për investime dhe siguri me SHBA-në, duke theksuar se takimi me të dërguarin special të Uashingtonit për Ukrainën dhe Rusinë, Kit Kellog, “e ktheu shpresën” për sukses. 

“Takimi me gjeneralin Kelog e ktheu shpresën. Na duhen marrëveshje të fuqishme të cilat do të funksionojnë me të vërtetë. Urdhërova që të punohet shpejtë dhe paanshmëri”, deklaroi Zelenski në fjalimin e tij të mbrëmjes. Ai shtoi se hollësitë janë kyçe: “Sa më mirë që janë përgatitur, aq më i mirë do të jetë rezultati”. 

Takimi u mbajt një ditë pasi Zelenski dhe presidenti amerikan Donald Tramp shkëmbyen akuza, në kohën kur Uashingtoni dhe Moska po bisedojnë për përfundimin e luftës trevjeçare pa praninë e Kievit në ato bisedime. 

Pas takimit, Zelenski në rrjetin social Iks shkroi se “Ukraina duhet të sigurojë paqe të qëndrueshme dhe të përhershme – kështu që Rusia asnjëherë më të mos mundet ta rinovojë këtë luftë”. 

“Ukraina është e gatshme për marrëveshje të fuqishme dhe efikase për investime dhe siguri me presidentin amerikan. Ekipi ynë është i gatshëm të punojë natë e ditë”, deklaroi Zelenski.

Bisedimet me Kelog vijuan pasi Kievi e refuzoi kërkesën e parë amerikane për shfrytëzim të mineraleve të rralla në Ukrainë. 

Zelenski shtoi se fokusi i takimit ishte situata në front, garancitë e sigurisë të cilat i kërkon Kievi dhe shkëmbimi i pengjeve ushtarake ukrainase. 

“Është me rëndësi që Ukraina dhe e gjithë bota e lirë ta ndjejnë fuqinë e Amerikës”, shkroi ai në Iks. fc/

Fotografia: EPA