Vajc: Presioni ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor për të dhënë dorëheqje për shkak të përkatësisë së pretenduar politike është një shenjë shqetësuese e ndërhyrjes politike në gjyqësor
- Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Tomas Vajc, në një deklaratë me shkrim për media ka reaguar ndaj, siç theksohet, "presionit të koalicionit qeveritar që anëtarët e Këshillit Gjyqësor të japin dorëheqje ose të shkarkohen për shkak të përkatësisë së tyre politike".

Shkup, 13 mars 2024 (MIA) - Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Tomas Vajc, në një deklaratë me shkrim për media ka reaguar ndaj, siç theksohet, "presionit të koalicionit qeveritar që anëtarët e Këshillit Gjyqësor të japin dorëheqje ose të shkarkohen për shkak të përkatësisë së tyre politike".
"Kjo thirrje e Qeverisë është shenjë shqetësuese e ndërhyrjes politike në gjyqësor. Pavarësia e sistemit gjyqësor është çelësi për sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushtetit, të cilat janë vlera themelore në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së", thekson Vajc në deklaratën e shkruar për mediat.
Kuvendi në seancën e së martës votoi mosbesimin për pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi – Vesna Dameva, Pavlina Cërvenkovska, Milazim Mustafa, Tanja Çaçarova-Ilievska dhe Selim Ademi. Nisma për interpelanca, e dorëzuar më 7 shkurt, u mbështet nga 67 deputetë të shumicës qeverisëse, por pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor do të duhet të vendosin vetë nëse do të largohen nga detyra, siç e kërkon edhe Ligji për Këshillin Gjyqësor.
Kryeministri Hristijan Mickoski pardje në një deklaratë për media tha se pret që Dameva, Cërvenkovska, Mustafa, Çaçarova-Ilievska dhe Ademi të largohen nga pozitat e tyre, sepse u mungon besueshmëria për të qenë në ato pozita. "Unë pres përgjegjësinë e tyre morale dhe të heqin dorë nga pozitat që i kanë zënë, sepse nuk kanë kredibilitet të jenë në ato vende”, tha Mickoski.
Ambasadorja amerikane Anxhela Ageler deklaroi sot se janë duke ndjekur me shumë vëmendje procedurat në Kuvend dhe deklaratat në lidhje me interpelancat e votuara për pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor.
Në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve lidhur me atë si i komenton interpelancat e votuara për pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor, Ageler theksoi se nuk mund t’i komentojë, por, siç tha, më e rëndësishme nga të gjitha është procesi që ndiqet në mënyrë të qartë dhe transparente. “Unë nuk mund t’i komentoj. Me shumë kujdes i ndjekim procedurat në Kuvend dhe deklaratat lidhur me interpelancat e votuara për pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor. Ajo që është e rëndësishme për çdonjërin nga këto raste është që të ndiqet në mënyrë që është e qartë dhe transparente për të gjithë ata që e vëzhgojnë”, tha Ageler.
Aktualisht po punohet në ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Këshillin Gjyqësor, është formuar grupi i ri i punës dhe pritet që më së voni deri në qershor të miratohet në procedurë parlamentare. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s