• Thursday, 17 October 2024

U fundos një anije me emigrantë në afërsi të ishullit grek Gavdos - shpëtohen 96 persona

U fundos një anije me emigrantë në afërsi të ishullit grek Gavdos - shpëtohen 96 persona

Athinë, 16 tetor 2024 (MIA) – Në pjesën detare në jug të ishullit të vogël grek Gavdos u fundos një anije me emigrantë, ndërsa me ndihmën e një anije të mallrave që ishte në afërsi, ishin shpëtuar 96 persona, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina. 

Nga shërbimi bregdetar i Greqisë informuan se po vijon aksioni i shpëtimit me dy anije patrulluese, gjashtë anije që janë në afërsi dhe një helikopter i marinës ushtarake për gjetjen eventuale të personave të zhdukur. 

Televizioni shtetëror grek ERT njoftoi se sipas informacioneve të tyre, rreth dhjetë persona janë zhdukur në det.

Kjo është fatkeqësia e dytë me emigrantë për më pak se 12 orë në Greqi, pasi dje, siç bëri të ditur MIA, katër persona, në mesin e të cilëve edhe dy fëmijë humbën jetën pasi u përmbyt një skaf në pjesën detare në afërsi të ishullit grek Kos.

Shërbimi bregdetar i Greqisë njoftoi sot se skafi ishte përmbytur gjatë përpjekjes për të shmangur një anije patrulluese dhe të mos ndalet në sinjalet e zërit dhe të dritës, ndërsa në vend të kësaj e kishte rritur shpejtësinë dhe kishte kryer manovra të rrezikshme me rezultat që ta humb kontrollin dhe të përmbytet. 

Dy anëtarë të ekuipazhit të anijes patrulluese të shërbimit bregdetar menjëherë kishin hyrë në det që t’i shpëtojnë njerëzit dhe ishin nxjerrë gjithsej dhjetë persona, prej të cilëve dy gra dhe dy fëmijë nuk ishin në vetëdije.

Menjëherë u ishte ofruar ndihma e parë dhe ishin dërguar në portin Kos, ndërsa prej aty me automjet të ndihmës së shpejtë ishin dërguar në spital, ku ishte konstatuar vdekja. 

Gjithsej ishin shpëtuar 27 persona, në mesin e të cilëve edhe tetë fëmijë, ndërsa pesë prej tyre dhe një foshnjë në mënyrë parandaluese ishin dërguar në spital, ku pas kontrolleve të kryera ishte konstatuar se janë në gjendje të mirë shëndetësore. fc/