Taravari: Bisedat në Vlen vazhdojnë, shpresoj të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme
- Kryetarët e katër partive që janë pjesë e koalicionit Vlen do të mbajnë sonte një takim për të diskutuar për veprimet e mëtejshme të koalicionit, tha sot në Gostivar, kreu i një pjese të Aleancës për Shqiptarët dhe ministër i Shëndetësisë Arben Taravari.
- Post By Sara Ademi
- 13:34, 11 April, 2025

Gostivar, 11 prill 2025 (MIA) - Kryetarët e katër partive që janë pjesë e koalicionit Vlen do të mbajnë sonte një takim për të diskutuar për veprimet e mëtejshme të koalicionit, tha sot në Gostivar, kreu i një pjese të Aleancës për Shqiptarët dhe ministër i Shëndetësisë Arben Taravari.
Pas një vizite pune në spitalin e përgjithshëm "Ferid Murad" në Gostivar, Taravari, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit, theksoi se kryetarët e Besës, Bilall Kasami, i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti dhe ai vetë si kryetar i pjesës së ASH-së, janë në aksion dhe në komunikim më të mirë që do të jetë zgjidhja më e mirë e mundshme dhe që do të jetë në interesin e të gjithëve.
"Në Vlen vazhdojmë me bisedat. Kemi një takim sonte, katër kryetarët e partive, kemi komunikim të vazhdueshëm, shpresoj që grupet punuese të vazhdojnë të punojnë dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme, e cila nuk do të jetë zhgënjyese apo demotivuese për partitë që janë pjesë e Vlenit", theksoi ai.
Lidhur me deklaratat e kryetarit të komunës së Tetovës dhe partnerit të tij në koalicion, Kasami, lideri i njërit krah të ASH-së, tha se në psikologji ka një fenomen kur "goja flet më shpejtë ndërsa truri përpunohet".
"Ekziston një fenomen në psikologji ku goja flet më shpejt se truri, ndërsa truri është duke përpunuar. Quhet fenomeni lapsus linguae dhe mendoj se zoti Bilalli nuk ka pasur ndërmend të mendojë keq, se Aleanca për Shqiptarët është zero, por nuk i ka futur fjalët saktësisht në fjali. Shpresoj, mendoj dhe jam i sigurt se ai nuk ka qëllim të keq dhe nuk e ka për qëllim atë që ka thënë, por është nxituar me një fjalë dhe e ka thënë në mënyrë të gabuar", ka theksuar Taravari.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti, i cili është edhe kryetar i Lëvizjes Demokratike, para disa ditësh kërkoi nga Taravari të zgjedhë një anë, nëse do të jetë pjesë e Vlenit ose do të negociojë me BDI-në për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Mexhiti në konferencën për media në Qeveri të martën tha se Taravari është njoftuar me idenë për bashkim të partive politike nga ky koalicion në një parti.
Ideja e bashkimit, siç theksoi ai, ishte e pranishme që në fillimet e koalicionit, por pritej momenti i duhur për të harmonizuar strukturat, idetë dhe programet politike për të hedhur hapin e radhës drejt formimit të një subjekti të vetëm politik.
Nga ana tjetër, Taravari së fundmi ka deklaruar se nuk ka marrë ofertë nga Vlen-i për t'u bashkuar në një parti. Për ofertën për bashkëpunim në zgjedhjet lokale të tetorit, të cilën Bekim Qoku, me pëlqimin e Izet Mexhitit, Bilall Kasamit dhe Zeqirija Ibraimit, ia ka dërguar Aleancës për Shqiptarët, Taravari ka deklaruar se e percepton si ultimatum.
"Një orë para se të mbahet Kuvendi doli publikisht me letër për mediat, portalet, si dhe për ne. Një orë para se të mbahej Kuvendi, më dukej si ultimatum, asnjëherë në jetë nuk kam pranuar ultimatum nga askush, flas si lider i partisë, dua biseda. Të ulemi, të bisedojmë, por ultimatume nuk pranoj. Thjeshtë, duam biseda dhe marrëveshje, ndërsa jo ultimatume", tha Taravari të hënën.
Për informatat se ka marrë oferta nga Vlen-i dhe BDI të ketë 35 për qind nga listat e këshilltarëve dhe pesë kandidatë për kryetarë komunash në zgjedhjet e ardhshme lokale, Taravari tha se nuk ka negociuar me BDI-në, ndërsa nga Vleni ka marrë ofertë, të cilën më shumë mund ta quajë ultimatum se sa ofertë. sa/