Taravari: Është formuar komision i cili duhet të vërtetojë nëse ka pasur lëshime me lehonën e ndjerë nga Kumanova, nesër informacionet e para
- Është formuar komision i cili duhet të konstatojë nëse ka pasur lëshime në rastin e lehonës së ndjerë në Kumanovë, ndërsa informatat fillestare mund të priten nesër, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
- Post By Fami Bajrami
- 14:00, 3 October, 2024
Shkup, 3 tetor 2024 (MIA) - Është formuar komision i cili duhet të konstatojë nëse ka pasur lëshime në rastin e lehonës së ndjerë në Kumanovë, ndërsa informatat fillestare mund të priten nesër, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
"Komisioni po punon, neve na duhen tetë ditë. Nesër kemi konferencë për media për 100 ditët e qeverisë, sigurisht që do të kemi informacion fillestar. Presim edhe rezultatet e autopsisë dhe do të shohim. Nuk dua të spekuloj, të presim edhe disa ditë dhe të shohim nëse ka pasur ndonjë gabim mjekësor apo jo", theksoi Taravari në pyetjet e gazetarëve.
Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor (ISHSSH) me 1 tetor ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshëm në Spitalin e përgjithshëm të Kumanovës për rastin e nënës së ndjerë.
Lehona tridhjetë e një vjeçare e cila ka ndërruar jetë në spitalin e Kumanovës, ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore gjatë lindjes dhe është kontrolluar rregullisht nga gjinekologu amë, ka treguar mbikëqyrja e jashtëzakonshme. Nga mbikëqyrja te gjinekologu amë rezultoi se lehona në lindje ka ndjekur me kohë kontrollet gjatë shtatzënisë, ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore gjatë shtatzënisë së dytë të rregullt dhe nuk ka pasur lëshime.
"Një ditë pas pranimit, me 27 shtator është vendos indikacioni për lindje dhe rreth orës 15:00 filloi aplikimi i terapisë për fillimin e lindjes. E njëjta terapi iu dha sërish në orën 19:30 kur gjendja shëndetësore e lehonës në lindje u përkeqësua papritur (në orën 19:40), pas së cilës ajo u dërgua menjëherë në sallën e operacionit dhe iu bë prerje cezariane nga ekipi i mjekëve kujdestarë (specialist në gjinekologji dhe obstetrikë, specialist në gjinekologji dhe obstetrikë dhe specialist anesteziolog). Në orën 20:30 është hequr fetusi ndërsa në orën 20:45 është konstatuar vdekja e lehonës nga ana e mjekut anesteziolog", thuhet në raportin e ISHSSH-së.
Foshnja ndodhet në Klinikën e fëmijëve në Shkup dhe gjendja po monitorohet. Nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut (PPRMV), thonë se presin analizat e nevojshme nga institucionet kompetente për konstatimin e gjendjes faktike. rq/
Foto: MIA