• Friday, 10 January 2025

Takim i Mexhitit dhe Kasamit për projekte infrastrukturore në Tetovë

Takim i Mexhitit dhe Kasamit për projekte infrastrukturore në Tetovë

Tetovë, 9 janar 2024 (MIA) - Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami ka mbajur takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti dedikuar çështjeve kyçe të ndërlidhura me zhvillimin urban dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor. Të dy pastaj ishin për inspektim në bulevardin "Vidoe Smilevski Bato", ku po kryhen punët ndërtimore për vazhdimin e aksit rrugor.

"Ky është përfundimi i bulevardit "Vidoe Smilevski Bato" drejt Porrojit po punohet për një segment prej 640 metrave, infrastrukturë nëntokësore, ndriçim, gjelbërim, tani të gjitha janë të realizuara. Mbetet të na shërbejnë kushtet e motit që të përfundohet elementi i fundit tamponimi dhe asfaltimi. Nga kjo pikë do të vazhdohet në dy krahë, i pari do të shkojë drejt qarkores nga Treboshi drejt Jazhincës, ndërsa i dyti do të vazhdojë drejt Porrojit", deklaroi Kasami.

Ministri Mexhiti theksoi se në takim është diskutuar për nivelin e realizimit të projekteve të caktuara për Tetovën nga Qeveria dhe konkretisht nga Ministria e tij e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

"Për disa nga projektet procedurat kanë filluar, e për disa janë në vazhdim. Padyshim që këto projekte do të sigurojnë zhvillim të përshpejtuar të Tetovës si komunë shumë e rëndësishme dhe do të mundësojnë zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët, për të cilat qeveria e kaluar nuk kishte asnjë ide. Ato do të ndikojnë në zhvillimin e arsimit, ekonomisë, infrastrukturës rrugore dhe nëntokësore, parandalimin e ndotjes së ajrit dhe përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike të qytetarëve. Kasami ka punuar me një llogari të bllokuar deri më tani. Mund të imagjinohet se si do të funksionojë me mbështetjen e Qeverisë", tha Mexhiti.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në buxhetin e vitit 2025 ka siguruar mjete për rindërtimin e rrjetit të ujësjellësit në Porroj prej 25 milionë denarë, rrethojë mbrojtëse në lumin Shkumbin prej 9 milionë denarë dhe me mjete nga BEI brenda vitit është pritet fillimi i rikonstruksionit të gypit për përçimin e ujit për qytetin e Tetovës, në vlerë prej 64 milionë denarë. mb/

Foto: MIA