• Tuesday, 18 February 2025

Shpenzime marramendëse të jetesës: Në Ballkanin Perëndimor, konsumatorët bojkotojnë supermarketet

Shpenzime marramendëse të jetesës: Në Ballkanin Perëndimor, konsumatorët bojkotojnë supermarketet

ENR-Bruksel

15 shkurt 2025 

E gjitha filloi në Kroaci në fund të janarit. Tashmë disa javë në vend po mbahen bojkotime të shumta të supermarketeve, me të cilat qytetarët shprehin pakënaqësinë e tyre nga çmimet gjithnjë e më të larta. Po aq të pakënaqur janë blerësit edhe në vendet e tjera anëtare të BE-së, si dhe në disa vende që duan të anëtarësohen me bllokun. 

Bojkotin e shitoreve e filloi një grup në Facebook i quajtur “Alo, inspektor”. Lëvizja ka hasur në mbështetje midis grupeve për mbrojtje të konsumatorëve, sindikatave, partive politike, e madje mori mbështetje edhe nga ministri i Ekonomisë.

"Sot do të bojkotojmë sërish gjithçka, nga supermarketet deri te farmacitë, bukëpjekësit, kafenetë dhe restorantet. Nuk hyjmë në shitore ose përdorim shërbime", deklaroi Josip Kelemen nga "Alo, inspektor"

Kelemen foli përpara raundit të tretë të bojkoteve në Kroaci më 7 shkurt. Iniciativa filloi me mesazhet që qarkullonin në rrjetet sociale, në të cilat thirren qytetarëte që të përmbahen nga çfarëdo blerje. Organizatorët fillimisht bënë thirrje për bojkot të zinxhirëve ndërkombëtarë të shitjes me pakicë si "Lidl" nga Gjermania ose diskontin "Eurospin" nga Italia, e më pas bojkot njëjavor të "Konzum"-it kroat, i cili përfundon më 14 shkurt.

Që atëherë, lëvizja është përhapur në të gjithë rajonin e Ballkanit – në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Bullgari dhe Serbi.

Më pak bukë në shportën

Problemi është i dyfishtë – nga njëra anë, çmimet e larta e bëjnë të vështirë për shumë konsumatorë të arrijnë në fund të muajit. Nga ana tjetër, prodhuesit lokalë thonë se nuk mund të konkurrojnë zinxhirëve të mëdhenj sepse produktet e importuara janë më të lira, ndërsa dhe çmimet që u paguhen nuk mbulojnë shpenzimet e tyre të prodhimit.

Ekonomistët shpjegojnë rritjen e re të çmimeve në Kroaci me rritje të ndjeshme të konsumit personal dhe kërkesës së përgjithshme vendore kundrejt rritjes së kufizuar të ofertës. Pjesa më e madhe e kërkesës në shtet është për shkak të fluksit të madh të fondeve evropiane, fondeve të kohezionit dhe fondeve të rimëkëmbjes nga pandemia.

Shpenzimet e jetesës po rriten në të gjithë BE-në, duke marrë parasysh se pagat nuk rriten së bashku me çmimet e ushqimit. Sipas Eurostat në Indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit, çmimi mesatar i ushqimit në BE arrinte 145,2 pikë në dhjetor 2024, krahasuar me vlerën referuese prej 100 në vitin 2015.

Inflacioni vjetor i eurozonës, sipas vlerësimeve të Eurostat, në janar ka arritur në 2,5 për qind. Shkalla e inflacionit për produktet ushqimore, alkoolin dhe duhanin ishte 2,3 për qind. Në dy vendet e Ballkanit Perëndimor që përdorin euron – Slloveni dhe Kroaci – norma e inflacionit ka qenë 2,3 për qind në të parën dhe 5 për qind në të dytën, duke e bërë inflacionin në Kroaci më të lartin në eurozonë.

Bojkotet janë ngjitëse

Bojkotet infektuan edhe konsumatorët në vendet kandidate të BE-së, Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Qytetarët në Bosnjë e Hercegovinë janë nën presion në rritje nga rritja e çmimeve – standardet e jetesës po bien pasi pagat nuk arrijnë të mbajnë ritmin me rritjen e shpenzimeve të jetesës. Për të ridrejtuar trendin, grupi joformal "Bojkoti në BeH" nëpërmjet rrjeteve sociale bëri thirrje për bojkot të zinxhirëve të mëdhenj të shitjes me pakicë më 7 dhe 8 shkurt. Qarkullimi në ato dy ditë shënoi rënie.

Më 31 janar dhe 7 shkurt, supermarketet në Maqedoninë e Veriut ishin gjysmë të zbrazëta. Qytetarët blinin në tregje ose shitore lokale – ose nuk blinin fare. Qytetarët e mbështetën bojkotin edhe pse nuk ishin të bindur se një bojkot njëditor mund të çonte në zgjidhjen e problemeve. Ata thonë se çmimet vazhdojnë të rriten, ndërsa pagat mbeten të njëjta. Në prag të bojkotit, disa markete paralajmëruan lirime të produkteve dhe përfitimeve për konsumatorët, ndërsa  i fajësuan furnizuesit për çmimet e larta.

Organizata serbe e konsumatorëve "Efektiva" bëri thirrje për bojkot njëditor të zinxhirëve të shitjes me pakicë më 31 janar, duke përkujtuar se në tetor të vitit të kaluar, Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës filloi procedurat kundër katër zinxhirëve të shitjes për shkak të dyshimeve për kurdisjen e çmimeve. Paralajmëroi edhe bojkot të ri nën moton “Dëshiron të të grabisin apo jo?”. Që nga 10 shkurti, pesë ditë janë bojkotuar zinxhirë të mëdhenj tregtarë: "Delez", "Merkator", "Univeksport", "Dis" dhe "Lidl".

Bojkotime ka pasur në Malin e Zi fqinj më 31 janar, si dhe më 7 dhe 8 shkurt. "Jemi dëshmitarë të çmimeve të papara të produkteve bazë çdo ditë dhe pronarët e zinxhirëve të mëdhenj po përfitojnë në kurriz të popullit. Është koha për të thënë mjaft!", shkroi organizata malazeze "Alternativa" në rrjetet sociale.

Aksioni u mbështet nga kryeministri Millojko Spajiç, disa organizata joqeveritare dhe sindikata, por u kundërshtua nga Oda Ekonomike dhe Shoqata Malazeze e Konsumatorëve.

Ideja u përhap në Bullgari, ku katër organizata bënë thirrje për bojkot të tregtarëve me pakicë dhe supermarketeve më 13 shkurt, sipas Velizar Ençev, koordinator i nismës dhe ish-ambasador bullgar në Kroaci.

Lëvizja deri më tani nuk i ka përfshirë Shqipërinë dhe Slloveninë, ndërsa  dhe rumunët hezitojnë.

Disa politikanë u kanë bërë thirrje rumunëve të bojkotojnë supermarketet për një ditë, duke pretenduar se nuk kanë shitur prodhime rumune. Por ministri i bujqësisë Florin- Jonut Barbu deklaroi se ai beson se bojkoti "do të falimentojë përpunuesit rumunë" sepse 70% e prodhimeve me pakicë në Rumani prodhohen nga kompanitë rumune të përpunimit të ushqimit.

Në Shqipëri nuk pati bojkot të supermarketeve, pavarësisht thirrjeve sporadike në rrjetet sociale. Vitin e kaluar, Qeveria rriti pagat e nëpunësve publikë, rriti pensionet dhe këtë vit uli çmimin e energjisë elektrike. Rritja e pagave dhe pensioneve nuk u pasua nga një rritje e ndjeshme e çmimeve në supermarkete.

Nuk pati bojkot të organizuar të dyqaneve as në Slloveni, megjithëse çmimet e larta të ushqimit janë një temë e nxehtë në opinion. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u stabilizuan në vitin 2024 pas një periudhe të rritjes marramendëse. Megjithatë, qendrat tregtare në qytetet sllovene përgjatë kufirit kroat panë një rritje të numrit të blerësve gjatë bojkotit kroat. Blerësit kroatë thonë se ushqimi dhe mjetet e pastrimit janë shumë më të lira në Slloveni. Blerësit sllovenë, nga ana tjetër, kanë filluar sërish të shkojnë gjithnjë e më shpesh në Italinë fqinje për furnizime më të lira.

Kufizimi i çmimeve

Mbetet të shihet nëse bojkotet do të kenë efekte të tjera afatgjata përveç rritjes së vetëdijes, por kanë provokuar një reagim midis politikanëve që kanë kërkuar kufizime të çmimesh.

Qeveria e BeH premtoi të ngrijë çmimet e 50 produkteve, ndërsa ajo e entitetit Republika Sërpska njoftoi kontrolle të zgjeruara inspektuese dhe dënime më të rrepta për tregtarët që rrisin çmimet në mënyrë të paarsyeshme.

Në Bullgari, BSP e qendrës së majtë - E majta e bashkuar parashtroi propozim ligj për të kufizuar marzhin e produkteve ushqimore bazë, sipas deputetes Nina Dimitrova. Propozim-ligj të ngjashëm parashtroi edhe MRF-Fillim i ri. Të dyja forcat politike janë të shqetësuara se qindra mijëra qytetarë nuk mund të përballojnë ushqimet më themelore për shkak të inflacionit të lartë. Nga ana tjetër, Shoqata për Tregti Moderne vuri në dukje se kufizime të tilla të çmimeve ishin fajtore për rritjen e inflacionit.

Qeveria kroate iu përgjigj bojkotit duke zgjeruar listën e produkteve që i nënshtrohen kufizimeve të çmimeve, duke shtuar 40 produkte të tjera duke përfshirë miellin, qumështin, mishin, bukën, brumrat, lëngjet dhe produktet e higjienës etj.

Shumë zhurmë për asgjë?

Në Maqedoninë e Veriut, Drejtoria e të Ardhurave Publike tha se qarkullimi në tetë zinxhirët më të mëdhenj të supermarketeve më 31 janar është ulur për 46,59 për qind krahasuar me të njëjtën ditë të javës paraprake. Por të dhënat tregojnë gjithashtu se qarkullimi ishte më i lartë për 11,2 për qind një ditë pas bojkotit.

Kryeministri Hristijan Mickoski shprehu mirëkuptimin e tij për bojkotet dhe bëri thirrje për dialog me prodhuesit, shpërndarësit, zinxhirët e shitjes me pakicë dhe konsumatorët për të shmangur përkeqësimin e situatës. Sipas tij, disa prodhues, furnizues dhe tregtarë përdorin truke për t'i bërë produktet më të shtrenjta, duke justifikuar se çmimet e bursave kanë qenë më të larta. "Por nuk është kështu", tha Mickoski.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi tha se konsumatorët kanë të drejtë të vendosin se si dhe ku i shpenzojnë paratë e tyre.

"Unë e kuptoj organizimin e aktiviteteve të tilla sepse subjekte të caktuara po përpiqen të gjenerojnë të ardhura të mëdha në shpinë të qytetarëve në një mënyrë spekulative," tha ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut Besar Durmishi.

Sipas të dhënave nga Drejoria Tatimore Malazeze, bojkoti më 31 janar ishte i suksesshëm, me atë që pesë zinxhirët më të mëdhenj të shitjes me pakicë që kanë regjistruar rënie prej 56,14 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të javës paraprake. Por, të dhënat tregojnë gjithashtu se këto pesë zinxhirë regjistruan një rritje të të ardhurave prej gjithsej 1,1 milion euro në ditën para dhe në ditën pas bojkotit, krahasuar me të njëjtat ditë të javës paraprake.

Edhe Drejtoria Tatimore në Serbi njoftoi se më 31 janar, qarkullimi i përgjithshëm i pesë supermarketeve të bojkotuara është zvogëluar ç[r rreth një të tretën në krahasim me një ditë më parë.

Në Kroaci, ku filloi gjithçka, bojkoti i parë kombëtar më 24 janar çoi në një rënie prej 44 për qind të transaksioneve dhe rënie prej 53 për qind të shitjes. Bojkoti i dytë më 31 janar shkaktoi rënie më të vogël të shitjeve, ndërsa pati një rënie edhe më të vogël gjatë bojkotit të tretë, të ashtuquajtur "Ne nuk blejmë asgjë të premten", më 7 shkurt.

Mbetet pyetja se sa mund të ndihmojë bojkotimi në frenimin e inflacionit. Sidoqoftë, njerëzit janë jashtëzakonisht të zemëruar kur shohin se disa produkte në Kroaci, e cila e vendosi euron në vitin 2023, janë më të shtrenjta se në disa vende më të zhvilluara anëtare të BE-së.

Foto: ENR