• Friday, 31 January 2025

SHGM-ja dhe UNDP-ja ndanë çmimet për storje gazetareske për vitin 2024 për tema që kanë të bëjnë me ndotjen e ajrit në vend

SHGM-ja dhe UNDP-ja ndanë çmimet për storje gazetareske për vitin 2024 për tema që kanë të bëjnë me ndotjen e ajrit në vend

Shkup, 30 janar 2024 (MIA) - Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), sot solemnisht ndau çmimet për vitin 2024 për artikuj gazetaresk me temë: “Trajtimi i ndotjes së ajrit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Çmimi i parë iu nda gazetarit Martin Pushevski për storjen me titull “Ndotja e ajrit – ka zgjidhje për problemin pikant, nuk ka guxim”, botuar në Radio Televizionin e Maqedonisë. Është një film dokumentar në të cilin kryefjalë është problemi me të cilin përballet çdo vit Maqedonia e Veriut, me fokus Shkupin, që është fakti se vendi përballet me kapacitete të vjetruara energjetike, transport joefikas dhe ndërtim të pakontrolluar, por ndotja më e madhe e ajrit vjen nga familjet.

Çmimi i dytë iu nda gazetares Emilija Misirlievski për përmbajtje gazetareske të transmetuara në kuadër të programit hulumtues “Kod” në TV Telma me titull “Ajri i ndotur dhe drejtësia mjedisore”, e cila trajton temën e ndotjes në Manastir dhe efektet negative të saj.

Çmimi i tretë iu dha gazetares Ubavka Janevska me titullin “Fantazma nuk mund të hiqet nga Velesi, nga gërmimet e skorjes vazhdon ndotja e metaleve të rënda”, e cila hulumton problemin e kahershëm me deponinë e shkritores së Velesit.

Përveç të shpërblyerve, sot një mirënjohje të veçantë iu nda edhe gazetarit Asdren Çeliku nga Radio Televizioni i Maqedonisë – Redaksia për fëmijë për qasjen e tij inovative dhe kreative dhe kontributin në ngritjen e vetëdijes publike për mjedisin.

Në këtë ngjarje ceremoniale, kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski, ambasadorja e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Ami Larsson Jain dhe përfaqësuesi aktual i UNDP-së në vend, Armen Grigoryan, si dhe gazetarët e shpërblyer dhe përfaqësuesit e komisionit për çmimet e vitit 2024 iu drejtua të pranishmëve.

Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski, në fjalën e tij para të pranishmëve, theksoi rëndësinë e gazetarëve në procesin e sensibilizimit për këtë çështje, si dhe fuqinë e mediave në të gjithë këtë proces.

“Çdo ditë ne jemi dëshmitarë të ndikimeve shkatërruese të ndotjes së ajrit në shëndetin e njeriut, mjedisin dhe shoqërinë në tërësi. Nga qytetet e mbytur nga ndotja e deri te vendet industriale që lëshojnë gazra toksikë, dëshmitë e kësaj krize janë të pamohueshme. Ne gazetarët jemi ura lidhëse mes publikut dhe problemeve që na prekin të gjithëve. Fuqia jonë qëndron në përcjelljen e saktë të informacionit, duke e drejtuar gishtin në çështjen konkrete dhe jo vetëm një herë, por vazhdimisht derisa vetëdija të ngrihet në nivelin më të lartë”, tha Çadikovski.

Ambasadorja e Suedisë, Ami Larsson Jain, theksoi se gazetarët janë ata që kontribuojnë në krijimin e një mase kritike qytetarësh të ndërgjegjshëm që do të kërkojnë zgjidhje për ndotjen e ajrit nga vendimmarrësit. Duke i formësuar faktet dhe shifrat në storje të rrëfyera mirë, gazetarët janë ata që frymëzojnë veprimin për ndryshim.

“Ky rol i tejkalimit të ndotjes të dezinformimit dhe ndriçimit të aspekteve kritike të një çështjeje është ajo që ju bën kaq të domosdoshëm si gazetarë. Përmes kërkimit tuaj të pandërprerë të së vërtetës, shoqëria e njeh veten më mirë dhe për këtë arsye është në gjendje të angazhohet më mirë me të metat e saj”, tha ambasadorja.

Armen Grigorjan, Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në vend, theksoi rëndësinë e gazetarëve në çdo shoqëri, veçanërisht në rritjen e ndërgjegjësimit për ndotjen e ajrit.

“Çdo ditë, gazetarët janë në vijën e parë të ndërgjegjësimit për sfidën e ndotjes së ajrit, duke kërkuar përgjigje për pyetjet kritike: Çfarë po e ndot ajrin që thithim? Çfarë mund dhe duhet bërë për të zgjidhur këtë? UNDP-ja e njeh punën e tyre si një faktor jetik në informimin e publikut dhe mobilizimin e shoqërisë për të gjetur mënyra efektive për të luftuar ndotjen e ajrit. Duke hedhur dritë mbi shkaqet dhe pasojat e ndotjes së ajrit, media inkurajon përgjegjësinë dhe veprimin e politikëbërësve dhe në këtë mënyrë inkurajon qytetarët të angazhohen në zgjidhje”.

Qëllimi i thirrjes publike për storje hulumtuese ishte të rriste ndërgjegjësimin për problemet ekzistuese të ndotjes së ajrit dhe të inkurajonte një mbulim më të madh të këtyre temave nga gazetarët në nivel lokal dhe kombëtar si një kontribut për gjetjen e mënyrave më të mira për zgjidhjen ose zbutjen e tyre.

Projekti “Menaxhimi i Ndotjes së Ajrit” është pjesë e kornizës programore të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), financuar nga Suedia. Projekti zbatohet nga UNDP në partneritet me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe komunat e Kavadarit, Kumanovës, Gostivarit, Strugës dhe Strumicës. Në kuadër të programit po realizohet edhe projekti “Ngritja e kapaciteteve komunale për zbatimin e projekteve”. ls/
 

Foto: MIA