• Sunday, 24 November 2024

Shefja e USAID-it për marrëdhëniet me Qeverinë e Kurtit: Çdo partneritet ka ngritje dhe ulje, partneriteti me popullin e Kosovës është i palëkundur

Shefja e USAID-it për marrëdhëniet me Qeverinë e Kurtit: Çdo partneritet ka ngritje dhe ulje, partneriteti me popullin e Kosovës është  i palëkundur

Prishtinë, 22 nëntor 2024 (MIA) - Ndihmësadministratorja në Byronë për Evropë dhe Euroazi pranë Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, Erin Elizabeth MekKi thotë se marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën nuk janë lëkundur gjatë administratave të ndryshme, kështu që nuk pret diçka të ndryshojë edhe me ardhjen/kthimin e presidentit të sapozgjedhur Donald Tramp në krye të shtetit.

"Angazhimi ynë, përkushtimi i popullit amerikan ndaj popullit të Kosovës, kanë vazhduar dhe jam e bindur se do të vazhdojnë", thotë ajo në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.

MekKi, e cila po viziton Kosovën me rastin e 25-vjetorit të punës së USAID-it në Prishtinë, thekson se prioritetet e USAID-it në të ardhmen do të fokusohen në ofrimin e ndihmës për Kosovën në rrugën e saj euro-atlantike, në tranzicionin drejt një energjie më të gjelbër dhe të rinovueshme dhe në konsumimin e mundësive ekonomike.

Lidhur me shqetësimet e përfaqësuesve amerikanë për partneritetin e SHBA-së dhe Kosovës me Kurtin në krye të Qeverisë, shefja e USAID-it thotë se çdo partneritet ka uljet dhe ngritjet e veta, por se partneriteti me popullin e Kosovës ka mbetur stabil dhe i fortë.

"Por, gjithashtu mendoj se nga ajo që kam parë gjatë këtij udhëtimi, ju i kapërceni pengesat ekzistuese dhe identifikoni bazamentin e përbashkët, qëllimet e përbashkëta drejt realizimit të të cilave keni punuar dhe vazhdoni të punoni së bashku, përgjatë qeverive të ndryshme të Kosovës dhe administratave të SHBA-së. Mendoj se, ashtu siç e keni parë gjatë punës sonë, partneriteti ynë, veçanërisht me popullin e Kosovës, ka mbetur i qëndrueshëm dhe i palëkundur", tha MekKi.

 Në pyetjen nëse ka pasur raste kur USAID-i është dashur ta ndërpresë përkohësisht bashkëpunimin me qeverinë e Kurtit, MekKi u përgjigj se " asnjëherë nuk e kemi ndërprerë punën tonë dhe nuk e kemi ndërmend ta bëjmë këtë".

"Politika ndonjëherë mund të errësojë punën e mirë që bëjmë ne, që populli amerikan dëshiron ta bëjë me popullin e Kosovës. Dhe mendoj se, siç e keni parë, prania jonë, programet dhe puna jonë kanë mbetur të pandryshuara", tha MekKi.

E pyetur për pritjet nga qeveria e ardhshme, pas zgjedhjeve në Kosovë në muajin shkurt, ajo thekson se nuk i intereson se kush do të fitojë zgjedhjet,  por që ato të jenë të lira, të drejta dhe transparente.

"Pra, janë qytetarët e Kosovës ata që do t’i zgjedhin prijësit e tyre, ndërsa partneriteti ynë do të sigurojë që zëri i tyre të dëgjohet, votat e tyre të numërohen dhe, pavarësisht se kush del fitues i zgjedhjeve, të funksionojë procesi i lirë dhe i drejtë demokratik. Kjo është mënyra për të siguruar besimin në demokraci, pa marrë parasysh se kush fiton", deklaroi MekKi, në intervistën për Radion Evropa e Lirë. sa/