• Wednesday, 04 December 2024

Rute: Rusia dhe Kina tentojnë të destabilizojnë vendet e NATO-s përmes sabotimit

Rute: Rusia dhe Kina tentojnë të destabilizojnë vendet e NATO-s përmes sabotimit

Bruksel, 4 dhjetor 2024 (MIA) - Përshkallëzimi i fushatës së veprimeve armiqësore të Rusisë kundër vendeve të NATO-s do të jetë temë kryesore e ditës së dytë të takimit të sotëm të ministrave të Punëve të Jashtme të anëtarëve të Aleancës, paralajmëroi sot Sekretari i përgjithshëm i Paktit, Mark Rute.

“Rusia, por edhe Kina, po përpiqen të destabilizojnë vendet e NATO-s përmes akteve të sabotimit, krimit kibernetik dhe sigurisht edhe përpjekjeve për të përdorur energjinë si armë”, theksoi Rute para fillimit të takimit ministror në të cilin merr pjesë edhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Timço Mucunski.

Sipas Rutes, në seancën e sotme ministrat do të bisedojnë mbi mënyrat për t'u përballur me kërcënime të tilla, për përmirësimin e ndarjes së informacionit të inteligjencës dhe sigurimin e kushteve për mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Ai rikujtoi se dje, në ditën e parë të takimit dyditor, ministrat e NATO-s kanë pasur takim me mbretin e Jordanisë Abdullahi i dytë ku kanë biseduar për situatën në rajonin e Lindjes së Mesme.

Në takim është diskutuar edhe për ngjarjet e fundit lidhur me situatën në Siri, si dhe për ndikimin e situatës në Lindjen e Mesme në rajonin më të gjerë, në radhë të parë në Afrikën Veriore.

Në darkën e punës ku morën pjesë edhe shefi i diplomacisë ukrainase, Andrij Sibiha dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë Kaja Kallas, ministrat, siç theksoi Rute kanë folur për përpjekjet kolektive për t'i siguruar Ukrainës mbrojtjen e nevojshme dhe të mundësojnë mbrojtjen e infrastrukturës së saj kritike dhe energjetike, si dhe të kontribuojnë në forcimin e vendit për ta vënë atë në një pozicion më të fortë dhe për të filluar bisedimet për të ardhmen e tij.

Lidhur me zhvillimet e përgjithshme dhe protestat në Gjeorgji, Rute tha se NATO po i ndjek me shqetësim ngjarjet pas zgjedhjeve parlamentare atje dhe inkurajon vendin që të kthehet në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Foto: skrinshot