• Friday, 04 October 2024

Rektori i UT-së, Jusuf Zejneli priti zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu

Rektori i UT-së, Jusuf Zejneli priti zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu

Tetovë, 3 tetor 2024 (MIA)- Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli i shoqëruar nga Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri e ka pritur sot në takim pune Zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës të Qeverisë së vendit tonë, Lulzim Aliun me bashkëpunëtorët e tij.

Në këtë takim u bisedua për fillimin e vitit të ri akademik në universitete, me theks të veçantë në Universitetin e Tetovës si dhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me organizimin e studimeve në të gjitha ciklet. Biseda u fokusua kryesisht në thellimin e bashkëpunimit në mes dy institucioneve në funksion të arritjes së rezultateve në procesin arsimor si dhe hulumtimet shkencore.  Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli theksoi se Universiteti i Tetovës e ka filluar mbarë vitin e ri akademik 2024/2025 dhe punon me përkushtim edhe në projektet hulumtuese dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Ai kërkoi nga Zëvendësministri Aliu që sa më shpejt të akreditohet vijimi i studimeve të doktoratës në Universitetin e Tetovës. Drejtuesit e UT-së dhe Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës u dakorduan që të punojnë bashkërisht në tejkalimin e pengesave në mënyrë që Universiteti i Tetovës të ketë mundësinë e hapjes së konkurseve për regjistrimin e kandidatëve në ciklin e tretë të studimeve. Në mbyllje të takimit u konstatua kontributi që jep UT-ja për shoqërinë, institucionet e vendit por edhe ndihmesën juridike përmes propozimeve për hartimin e ligjit të ri të arsimit të lartë në vend, por edhe për strategjinë që duhet të ndiqet në avancimin e mëtutjeshëm të proceseve arsimore-shkencore.