RCC: Shtatëmbëdhjetë vite në funksion të avancimit të bashkëpunimit dhe integrimit rajonal
- Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka shënuar të enjten në Sarajevë 17-vjetorin e themelimit duke festuar pothuajse dy dhjetëvjeçarë të forcimit të lidhjeve më të ngushta, integrimit ekonomik dhe qëndrueshmërisë rajonale në Evropën Juglindore.
- Post By Fami Bajrami
- 10:09, 21 February, 2025

Sarajevë, 21 shkurt 2025 (MIA)- Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka shënuar të enjten në Sarajevë 17-vjetorin e themelimit duke festuar pothuajse dy dhjetëvjeçarë të forcimit të lidhjeve më të ngushta, integrimit ekonomik dhe qëndrueshmërisë rajonale në Evropën Juglindore.
Që nga themelimi në takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), në Sofje, më 27 shkurt 2008, RCC është në krye të nismave që kanë sjellë përfitime të prekshme për rajonin, duke përfshirë heqjen e tarifave të roamingut në Ballkanin Perëndimor dhe uljen e tyre midis rajonit dhe BE-së, përmirësimin e lëvizshmërisë për sipërmarrjet dhe profesionistët, si dhe forcimin e bashkëpunimit në digjitalizim, tranzicionin e gjelbërt dhe sigurinë.
Duke reflektuar mbi rrugëtimin e RCC-së dhe vizionin e tij për të ardhmen, Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Amer Kapetanovic, theksoi rolin kyç të organizatës në konkretizimin e bashkëpunimit rajonal:
“Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, RCC u lansua me një vizion – për ta afruar këtë rajon më shumë, duke e bërë atë më konkurrues, më të ndërlidhur dhe më të qëndrueshëm. Sot, ai vizion është një realitet në lëvizje dhe është më i rëndësishëm se kurrë. Nga mundësimi i rritjes së sipërmarrjes përtej kufijve deri te lehtësimi i jetës së përditshme për qytetarët, bashkëpunimi rajonal ka sjellë përparim të vërtetë dhe të matshëm. Por ne nuk do të ndalemi këtu – rajoni ynë po evoluon, bota po ndryshon, dhe RCC mbetet e përkushtuar për të udhëhequr rrugën drejt një Ballkani Perëndimor më të fortë, më konkurrues dhe më të integruar brenda Europës Juglindore dhe BE-së, si dhe në arenën globale”, tha mbrëmë Kapetanoviq
Përgjatë viteve, RCC-ja ka luajtur një rol kyç në afrimin e ekonomive rajonale me Bashkimin Evropian, duke mbrojtur politika që përputhen me standardet e BE-së dhe duke siguruar që bashkëpunimi rajonal të përkthehet në përfitime të drejtpërdrejta për njerëzit. Nga Tregu i Përbashkët Rajonal dhe nisma “Evropa Juglindore 2030”, deri te përpjekjet për tranzicionin e gjelbër dhe digjital, si dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë, RCC vazhdon të çojë përpara një agjendë rajonale që është njëkohësisht ambicioze dhe gjithëpërfshirëse.
Duke parë drejt së ardhmes, fokusi i organizatës mbetet krijimi i mundësive më të mëdha ekonomike, mbështetja e të rinjve dhe inovacionit, si dhe sigurimi që Ballkani Perëndimor të mbetet një partner i fortë në arenën evropiane dhe globale.
“Puna që po bëjmë sot, së bashku me partnerët tanë, do të ketë ndikim për vitet që vijnë. Ne nuk po punojmë vetëm për të ndërtuar politika – ne po formësojmë një të ardhme ku Ballkani Perëndimor është plotësisht i integruar, konkurrues dhe i përgatitur për sfidat përpara. Bashkëpunimi është çelësi, dhe RCC do të vazhdojë të jetë një forcë shtytëse pas tij,” – shtoi Sekretari i Përgjithshëm, Amer Kapetanmoviq. Siç mëson KDP, kreu i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, fillim-javën e ardhshme do të qëndrojë në Shkup në funksion të thellimit të bashkëpunimit për çështje nga fushëveprimi i vet.
Për RCC-në
Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) u ngrit më 27 shkurt 2008 me një vendim të anëtarëve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) dhe Bashkimit Evropian për të transformuar Paktin e Stabilitetit për Evropën Juglindore, nismë e atëhershme e BE-së për parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e besimit në rajon, në një mekanizëm të “pronësisë rajonale”. RCC ka 46 pjesëmarrës: vendet anëtare të SEECP, Komisionin Evropian, shtetet donatore, organizatat ndërkombëtare dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
Selia e Sekretariati të RCC-së ndodhet në Sarajevë, kurse Zyra Ndërlidhëse është në Bruksel. RCC vepron si organ operativ i SEECP-së, me qëllimin kryesor të promovimiin dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore dhe ofrimin e mbështetjes për vendet në rrugën e tyre drejt integrimit evropian dhe euroatlantik. Roli i tij kryesor është të ndihmojë aktivitetet e SEECP-së, të përfaqësojë rajonin dhe të mbikëqyrë aktivitetet e tij, të bashkëpunojë me mekanizmat e tjerë rajonalë, dhe kryesisht të mbledhë dhe të koordinojë projekte të natyrës rajonale dhe të gjejë donatorë për zbatimin e tyre. Ai i kushton një vëmendje të veçantë Procesit të Berlinit, Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor që mëton të bëhet pjesë e familjes evropiane dhe programit të Tregut të Përbashkët Rajonal i cili doli nga Plani i mëparshëm Shumëvjeçar i Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale. RCC kryen aktivitetet e veta përmes pesë fushave kryesore të bashkëpunimit të përbashkët: konkurrueshmërisë, zhvillimit të kapitalit njerëzor, transformimit digjital, jurisprudencës, punëve të brendshme dhe mbrojtjes së mjedisit.