• Thursday, 25 July 2024

Presidentja Siljanovska Davkova i pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri shqiptar Denion Mejdani

Presidentja Siljanovska Davkova i pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri shqiptar Denion Mejdani

Shkup, 25 korrik 2024 (MIA) - Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova sot i pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Republikës së Shqipërisë, Denion Mejdani.

Siç bënë të ditur nga Kabineti i Siljanovska Davkova, në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale, ajo ka shprehur kënaqësi nga trendi zhvillimor pozitiv dhe i vazhdueshëm i marrëdhënieve dhe bashkëpunimi mes të dyja vendeve mike dhe vullnetit të ndërsjellë, gatishmërisë dhe përkushtimit për intensifikimin dhe avancimin e bashkëpunimit në të gjitha sferat me interes të ndërsjellë.

"Integrimet evropiane janë prioritet i të dy vendeve, njëjtë si dhe nevoja për përshpejtimin e këtyre proceseve në periudhën në vijim. Zgjerimi i Bashkimit Evropian është i rëndësishëm për rajonin në tërësi dhe do të kontribuojë në inkurajimin e reformave dhe proceseve demokratike. Të dyja vendet mbeten të përkushtuara në rrugën evropiane dhe janë të gatshme të bashkëpunojnë në drejtim të realizimit të qëllimit përfundimtar dhe të përbashkët - anëtarësimit të plotë në Union", tha presidentja Siljanovska Davkova, duke theksuar se të dy vendet janë aleatë në NATO dhe kanë një vizion të përbashkët dhe përkushtim për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin ekonomik si në rajon ashtu edhe në nivel global.

Ambasadori Mejdani, në paraqitjen e tij në ceremoni, theksoi se misioni i tij është që pa pushim të punojë në ngritjen e miqësisë dhe bashkëpunimit mes të dyja shteteve. 

"Ne jemi dy kombe të cilët i bashkon qëllimi i përbashkët: të krijojmë të ardhme për progres, paqe dhe të ardhme e cila premton. Bashkë e ecëm rrugën e integrimit euroatlantik, duke kuptuar se fatet tona janë thurrur. Bashkë, mund të krijojmë një fener stabiliteti dhe rritjeje në Ballkan, një shembull se çfarë është e mundur nëse uniteti dhe bashkëpunimi udhëheqin rrugën", tha ambasadori Mejdani.

Presidentja Siljanovska Davkova ambasadorit Mejdani i dëshiroi sukses në kryerjen e funksionit me përgjegjësi. fc/

Fotografia: Kabineti i presidentes së shtetit Siljanovska Davkova