PP: Veprimet hetimore për fatkeqësinë në Koçan janë duke vazhduar, prokurori republikan Kocevski po i koordinon aktivitetet
- Nga Prokuroria Publike informojnë se veprimet hetimore në terren për aksidentin në diskotekën"“Puls" ende janë duke vazhduar, ndërsa prokurori publik shtetëror Ljupço Kocevski sot është sërish në Koçan, ku po i koordinon aktivitetet e ekipit të prokurorëve të caktuar për kryerjen e veprimeve hetimore. Nga aty paralajmëruan deklaratë e Kocevskit në orën 16:00 para Prokurorisë Themelore Publike të Koçanit.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 15:40, 17 March, 2025

Shkup, 17 mars 2025 (MIA) - Nga Prokuroria Publike informojnë se veprimet hetimore në terren për aksidentin në diskotekën"“Puls" ende janë duke vazhduar, ndërsa prokurori publik shtetëror Ljupço Kocevski sot është sërish në Koçan, ku po i koordinon aktivitetet e ekipit të prokurorëve të caktuar për kryerjen e veprimeve hetimore. Nga aty paralajmëruan deklaratë e Kocevskit në orën 16:00 para Prokurorisë Themelore Publike të Koçanit.
Nga PP sot në mëngjes informuan se ekipi i prokurorisë është zgjeruar dhe përbëhet nga dy prokurorë publikë nga PTHP Koçan, dy prokurorë publikë nga PTHP Shtip dhe pesë prokurorë publikë nga PTHP Shkup.
Po ashtu, theksuan se mbrëmë janë lëshuar disa urdhëra shtesë, përfshirë urdhër për kontrollim të serverëve dhe një kompjuter tjetër në Ministrinë e Ekonomisë dhe urdhër për ekspertizë grafologjike të nënshkrimeve në dokumentacion të caktuar.
Gjithashtu, informuan se janë duke u zhvilluar seancat për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit në rastin e zjarrit në diskotekën në Koçan.
Për rastin deri më tani janë marrë në pyetje mbi 20 persona, ndërsa për 11 Prokuroria ka nisur procedurën hetimore. Për tetë prej tyre tashmë është bërë propozim për paraburgim afatshkurtër, ndërsa tre të tjerët janë ende të shtruar në gjendje të rëndë shëndetësore.
Masa e paraburgimit afatshkurtër është një institut procedural për sigurimin e pranisë së personave për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë kryer një vepër penale, ndërsa propozohet në raste veçanërisht të ndërlikuara, kur është e nevojshme të mblidhet një vëllim më i madh provash për verifikimin e të gjitha rrethanave dhe mundësisht fillimin formal të hetimit.
Kjo masë, e parashikuar në nenin 170 të Kodit për Procedurë Penale, mund të shqiptohet maksimumi dy herë, secila me kohëzgjatje prej 48 orësh, pa u lëshuar urdhër formal për zbatimin e procedurës hetimore.
Kjo i mundëson prokurorit publik të mbajë personin për të cilin ekziston dyshim më gjatë se ndalimi bazë policor 24-orësh.
Qëllimi i kësaj dispozite ligjore është që prokurorit publik të ketë kohë të mjaftueshme, veçanërisht në rastet e vështira dhe komplekse, për të ndërmarrë të gjitha aktivitetet dhe për të përcaktuar faktet dhe rrethanat, si dhe vetirë dhe veprimet konkrete të personit që do të shqyrtohet më tutje në procedurën hetimore.
Pas hapjes formale të hetimeve, prokurori publik propozon masa të reja për sigurimin e të dyshuarit, gjegjësisht shfuqizohet paraburgimi afatshkurtër dhe më së shpeshti caktohet paraburgimi i rregullt.
Për masën paraburgimit afatshkurtër për momentin vendos gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Koçan. Prokuroria Publike nuk ka informacion për ecurinë e procedurës.
Në zjarrin që ndodhi në diskotekën "Puls në Koçan, kanë humbur jetën 59 të rinj, ndërsa mbi 140 viktima janë përkujdesur brenda dhe jashtë vendit.
Foto: Arkivi i MIA-s