• Tuesday, 18 March 2025

Paraburgim afatshkurtër për 16 persona për zjarrin në Koçan

Paraburgim afatshkurtër për 16 persona për zjarrin në Koçan

Shkup, 18 mars 2025 (MIA) - Deri më tani për gjithsej 16 persona është caktuar paraburgim afatshkurtër prej 48 orësh lidhur me zjarrin në diskotekën në Koçan, ku humbën jetën 59 persona, ndërsa mbi 150 janë lënduar.

"Deri në këtë moment Prokuroria Themelore Publike në Koçan  ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit afatshkurtër për 16 persona. Propozimet janë pranuar dhe masa është caktuar për të gjithë", thonë  nga Prokuroria Publike e Shtetit. 

 Në mesin e të arrestuarve janë ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski.

Masa e paraburgimit  afatshkurtër propozohet në raste veçanërisht të ndërlikuara, kur është e nevojshme të mblidhen një vëllim më të madh të provave për të shqyrtuar të gjitha rrethanat dhe mundësisht për fillimin zyrtar të hetimit. 

 Kjo masë, e parashikuar në nenin 170 të Kodit të Procedurës Penale, mund të shqiptohet  më së shumti dy herë nga 48 orë, pa u lëshuar urdhër formal për zbatimin e procedurës hetimore.

 Kjo i mundëson prokurorit publik ta mbajë personin për të cilin ekziston dyshim më gjatë se ndalimi bazë policor 24-orësh. Qëllimi i kësaj dispozite ligjore është që prokurori publik të ketë kohë të mjaftueshme, veçanërisht në rastet e vështira dhe komplekse, për të ndërmarrë të gjitha aktivitetet dhe për të përcaktuar faktet dhe rrethanat, si dhe karakteristikat dhe veprimet specifike të personit që do të shqyrtohet më tutje në procedurën hetimore.

 Pas hapjes formale të hetimit, prokurori publik propozon masa të reja për sigurimin e të dyshuarit, gjegjësisht shfuqizohet paraburgimi afatshkurtër dhe më së shpeshti caktohet paraburgimi i rregullt.

 Foto: Arkivi i MIA-s