• Saturday, 07 June 2025
English
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Nga 19 të dyshuarit e rinj për zjarrin në Koçan, për 10 kërkohet paraburgim efektiv dhe arrest shtëpiak, për tetë masa të kujdesit

Nga 19 të dyshuarit e rinj për zjarrin në Koçan, për 10 kërkohet paraburgim efektiv dhe arrest shtëpiak, për tetë masa të kujdesit

Shkup, 13 prill 2025 (MIA) - Prokuroria Themelore Publike në Koçan e ka zgjeruar hetimin për zjarrin në klubin e Koçanit "Puls" për 19 persona të rinj. Të gjithë, si dhe ata të mëparshmit që janë hetuar, dyshohen për “Krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” nga neni 292 lidhur me nenin 288 të Kodit Penal. Prej tyre, për katër të dyshuar është propozuar masa paraburgim, për gjashtë të dyshuar arrest shtëpiak në kombinim me ndalim të realizimit të komunikimit, ndërsa për tetë të tjerë është propozuar masa e kujdesit. Një i dyshuar në momentin e hapjes së hetimit ishte jashtë shtetit, tha Prokurori Publik Shtetëror Lupço Kocevski në konferencën e sotme të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshëm Pançe Toshkovski.

Sipas funksionit, të dyshuarit e rinj janë: tre inspektorë të autorizuar ndërtimorë në Komunën e Koçanit, tre drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim krahas një drejtori që tashmë është në procedurë, një inspektor i përgjithshëm në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, tre ministra të ekonomisë, tre persona zyrtarë në Ministrinë e Ekonomisë, dy sekretarë shtetërorë në Ministrinë e Ekonomisë  dhe katër inspektorë të tregut në ISHT. Ministri aktual i Ekonomisë nuk është i përfshirë me hetimin, sepse deri më tani nuk ka dëshmi se nga ai është kërkuar të vazhdojë licencën e objektit të Klubit "Puls" në Koçan, tha Prokurori Publik Shtetëror Kocevski në pyetjen e gazetarëve.  

Prokurori shtetëror saktëson se deri më tani është nisur hetim ndaj 45 personave fizikë dhe tre juridikë. Një nga personat fizik ndërkohë ndërroi jetë dhe hetimi ndaj tij do të ndërpritet. Përveç kësaj, siç tha ai, po zhvillohet hetim edhe ndaj shtatë nëpunësve policorë. Ai tha se hetimi do të jetë sa më efektiv dhe do të japë efektet e dëshiruara.

"Në periudhën e kaluar, ekipi i prokurorisë, i cili është zgjeruar në gjithsej 13 prokurorë publikë, veproi dhe hetoi intensivisht shumicën e linjave të përgjegjësisë për zjarrin në të cilin humbën jetën 61 persona, duke përfshirë gjashtë fëmijë, ndërsa janë lënduar edhe 197 persona, prej të cilëve 25 fëmijë. Krahas atyre për të cilët ka dyshime për përgjegjësi direkte si pronarë, drejtues, organizatorë të ahengut, sigurimi në klub në natën kritike dhe përdoruesit e mjeteve piroteknike, përgjegjësinë e kanë të gjitha institucionet dhe personat zyrtarë të cilët me veprimet e tyre të paligjshme dhe lëshimet e tyre në vazhdimesi, kanë çuar në atë që Kabareja "Puls" në Koçan që nga fillimi për një periudhë të gjatë kohore deri në shpërthimin e zjarrit të vazhdojë të ushtrojë veprimtari hotelierike pa përmbushur kushtet ligjore për atë dhe me çrregullimin e të gjitha rregullave të sigurisë në jetën e personave që kanë vizituar objektin. Normat ligjore dhe kompetencat për mbrojtjen e sigurisë janë të qarta dhe ato janë miratuar dhe duhet të respektohen saktësisht për të shmangur katastrofë të tillë", tha Kocevski.

Sa i përket përgjegjësisë së autoriteteve lokale, në bazë të veprimeve hetimore të deritanishme, përveç tre kryetarëve të komunave të Koçanit të cilët tashmë janë të dyshuar, Prokuroria ka ardhur në një dyshim të arsyeshëm për përgjegjësinë e mundshme të tre inspektorëve të autorizuar ndërtimorë komunalë, të cilët kanë vepruar në kundërshtim me kompetencat dhe autorizimet e tyre sipas Ligjit për Ndërtim dhe Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese, thekson se ata nuk kanë kryer asnjë kontroll inspektimi të objektit që është shndërruar në mënyrë të paligjshme nga një objekt i industrisë së lehtë në objekt hotelieriek pa asnjë standard sigurie për vite me radhë.

Në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, përveç drejtorit të dyshuar më parë, ka filluar hetimi edhe për tre persona të tjerë në të njëjtin post, duke përfshirë drejtorin aktual, si dhe inspektorit të përgjithshëm në Drejtorinë që ka qenë në atë pozitë gjatë gjithë periudhës së funksionimit të klubit.

"Ekziston dyshimi se ata kanë vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre të parashikuar në Ligjin për Mbrojtjen dhe Shpëtimin dhe Ligjin për Mbikëqyrjen e Inspektimit dhe kanë neglizhuar plotësisht kompetencat e tyre jo vetëm në lidhje me këtë klub, por edhe në institucionet e tjera hotelierike në shtet. Gjatë viteve, as një herë në përputhje me rreziqet që ekzistonin dhe që ata duhej t'i merrnin parasysh, ata nuk kanë zbatuar masa të vëzhgimit, monitorimit dhe inspektimit të objekteve që ushtrojnë veprimtari hotelierike - diskoteka dhe kabare. Duke mos ekzekutuar detyrat e tyre, në kundërshtim me interesin publik, ata shkelën plotësisht sistemin e mbrojtjes dhe shpëtimit dhe kështu i ekspozuan vazhdimisht qytetarët ndaj rrezikut të objekteve të pakontrolluara dhe të kontrolluara në drejtim të përmbushjes së kërkesave të nevojshme ligjore për sigurinë, mbrojtjen nga zjarri dhe rrezikun për shëndetin dhe jetën e tyre", bën të ditur Kocevski.

Krahasm ministrit të Ekonomisë, sekretarit shtetëror dhe edhe tre drejtuesve të tjerë të dyshuar më parë, tani janë të dyshuar edhe tre persona të tjerë të cilët në një periudhë të caktuar nga funksionimi i klubit kanë ushtruar postin ministër i Ekonomisë, dy sekretarë shtetërorë dhe tre nëpunës të tjerë shtetërore në poste udhëheqëse, kompetentë në sektorin e hotelierisë dhe turizmit.

"Të gjithë ata, si dhe të dyshuarit paraprak në Ministrinë e Ekonomisë, po hetohen për shkak se i kanë mundësuar kabare klubit "Puls" të marrë licenca pa plotësuar kushtet minimale teknike për punë dhe të vazhdojë në mënyrë të paligjshme ushtrimin e veprimtarisë hotelierike për të gjithë periudhën nga hapja deri në shpërthimin e zjarrit. Ministri aktual i Ekonomisë nuk është i përfshirë me hetimin sepse nuk ka asnjë dëshmi se pronari i klubit ka filluar procedurën për licencë të re në vitin 2025", shprehet prokurori shtetëror.

Nga aspekti i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, veprimet hetimore deri në këtë moment, përveç tre të dyshuarve, vuri në dukje ai, çojnë në dyshime të bazuara të edhe katër inspektorëve të tjerë të tregut, të cilët kanë qenë kompetentë për të ushtruar mbikëqyrje inspektuese për zbatimin e ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi.

Sa i përket dy ish-drejtorëve të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, të cilët po hetohen edhe më parë, kontrollet ndaj tyre vazhdojnë kryesisht për faktin se mandati i tyre lidhet me periudhën në të cilën klubi ka punuar me licencë të falsifikuar, si dhe disa licenca të tjera që janë lëndë e verifikimit.

Gjithashtu është duke u zhvilluar hetim ndaj shtatë nëpunësve policorë në procedurën e filluar nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, përkatësisht Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Krimeve të Kryera nga Persona me Autorizim Policor dhe pjesëtarë të Policisë së Burgjeve për të përcaktuar plotësisht linjën e përgjegjësisë, për të cilën publiku do të informohet menjëherë.

"Prokuroria Publike, Ministria e Punëve të Brendshme dhe të gjitha institucionet e përfshira në këtë procedurë ndjejnë përgjegjësi të madhe ndaj viktimave të kësaj ngjarjeje tragjike, por edhe ndaj qytetarëve në përgjithësi me qëllim hetimin e plotë të saj. Afati kohor për analizimin e mosveprimit që prokuroria zbaton këtu bazohet në parimin e: mosveprimit të menjëhershëm – i cili analizohet në afat të shkurtër (p.sh. reagimi i parakohshëm ndaj një zjarri ose dështimi për të rregulluar një defekt që menjëherë çoi në dëmtim), por edhe mosveprimi afatgjatë – i cili përfshin mangësi sistemike, siç janë mosveprimet e shumta në procedurat e sigurisë, të cilat mund të çojnë në pasoja katastrofale disa vite më vonë, sqaroi prokurori i shtetit në lidhje me dilemat në publik në lidhje me fushën, përgjegjësinë dhe aspektet që janë lëndë e hetimit.

Lëndë e analizës është gjithashtu i ashtuquajturi efekt kumulativ i mosveprimeve, respektivisht, nëse persona të shumtë të ndryshëm për një periudhë të gjatë kohore bëjnë mosveprime të përsëritura, ata janë gjithashtu pjesë e një marrëdhënie më të gjerë shkakore, sepse efekti i tyre përmbledhës mund të jetë kritik.

"Në raste komplekse, analiza e kauzalitetit nuk bëhet jo vetëm në një moment të vetëm kohor, por në sekuenca kronologjike, pikërisht për këtë arsye mosveprimtet e përsëritura të personave të ndryshëm për një periudhë më të gjatë kohore merren parasysh gjatë analizës së lidhjes shkakore-pësore. Në rastet e neglizhencës afatgjate, të gjitha institucionet ose sistemet janë përgjegjëse, jo vetëm individët në momentin e vetë pasojës, tha Kocevski, dhe përmendi si shembull në mbarë botën zjarrin e klubit në Rumani në vitin 2015, zjarrin e klubit në SHBA në vitin 2003 dhe zjarrin e klubit në Brazil në vitin 2013 - të gjitha rastet e tragjedive të zjarrit masiv në lidhje me përdorimin e piroteknikës, ku gjykatat njohën serinë afatgjatë të mosveprimeve si faktorë që e kanë bërë zjarrin aq shkatërrues.

Kocevski gjithashtu tha se shumë veprime, marrje në pyetje dhe analiza të tjera ishin të ardhshme, duke theksuar se hetimi do të ishte sa më efektiv dhe do të jepte të gjitha përgjigjet e pritshme për këtë tragjedi.

Ministri Toshkovski theksoi se për të hedhur dritë mbi ngjarjen juridike dhe kriminale, Ministria e Punëve të Brendshme ndërmori një sërë aktivitetesh që treguan se ligji zbatohet për këdo që e ka shkelur, duke mbledhur dëshmitë e duhura, duke nënvizuar se nuk duhet që ky hetim të jetë objekt i konfrontimeve politike.

"Qytetarët maqedonas për atë që është zbatuar deri më tani mund të bëjnë dallimin, krahasuar me atë që është bërë më parë. Është e qartë për të gjithë se dallimi është i madh. Ndryshe nga ato 3-4 tragjeditë e përmendura në publik, ku kishim 70 viktima, në të kaluarën Ministria e Brendshme nuk kishte ngritur asnjë kallëzim penal në Prokurorinë Publike dhe nuk kishte asnjë të dyshuar. Shifrat e asaj që kemi bërë deri më tani janë cituar nga prokurori publik dhe kjo diferencë është e madhe. Tregojmë se ligji zbatohet për këdo që bën një gabim dhe do të ofrohen dëshmi. Nuk guxon të lejojmë që ky hetim të ndikohet nga konfrontimet politike që duan të fitojë një pikë të caktuar, ata mendojnë se mund të na shtyjnë në një drejtim që nuk do të ishte i dëshiruar nga pikëpamja e ushtrimit të një hetimi legjitim të plotë dhe profesional. Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim aktivitete përkatëse për të gjithë ata që mbledhin dëshmi", tha Toshkovski.

Në pyetjen e gazetarëve, Kocevski thekson se në lidhje me veprën penale, hetimi po zhvillohet në lidhje me nenin 292 në lidhje me nenin 288 të Kodit Penal për Vepra të Rënda kundër Sigurisë së Përgjithshme, por nuk përjashtohet që do të ketë akuza për krime të tjera nëse ekipi i prokurorëve publikë që drejtojnë hetimin e vlerëson atë.

I pyetur nëse personat tashmë në pension do të mbulohen gjithashtu nga hetimi, prokurori i shtetit sqaroi se nuk ka vjetërsi për këtë vepër penale.

"Ekipi i prokurorëve publikë i kushtoi vëmendje kësaj pjese për sa i përket vjetërsisë. Si pikë nismëtare është marrë viti 2012 dhe nuk ka vjetërsi për këtë krim deri në ditën e hapjes së hetimit", tha Kocevski.

Lidhur me kompetencat e Ministrisë së Ekonomisë, edhe pse nuk kishte dokumentacion të plotë për plotësimin e kushteve teknike dhe të sigurisë së objektit në Koçan, ai sqaroi se që nga fillimi i funksionimit të “Puls”-it nuk janë plotësuar asnjëherë kushtet e nevojshme për kabare, por në thelb objekti funksiononte si një diskotekë që ndikonte në numrin e mysafirëve që duhej të ishin të pranishëm. "Biletat e mysafirëve janë lëshuar formalisht deri në numrin që mund të pranonte kjo ndërtesë, i cili ishte 240, e në kohën e fatkeqësisë, në objektin kanë qenë të pranishëm rreth 650", shprehet Kocevski.

Te DSSH-ja, dëshmitë bëjnë tëditur se mosveprimet thelbësore në hetimin e përgjegjësisë dhe përfshirja e mundshme e personave nga ky institucion janë pikërisht në strukturën udhëheqëse të institucionit. Ajo që kanë pasur nga karakteri operativ teknik dhe parandalues, detyrë për të ndërmarrë është shkelur në çdo kuptim, ndërsa Komuna e Koçanit është lënë pa autorizuar fare inspektor për mbrojtje dhe shpëtim.

"Veprimtaria hotelierike - diskoteka dhe kabare nuk ka qenë asnjëherë lëndë e kontrollit dhe mbikëqyrjes, si në Koçan ashtu edhe në të gjithë shtetin, ndërsa qytetarët kanë qenë nën rrezik potencial në të gjitha objektet hotelierike. Kjo është diçka të cilën njeriu nuk mund ta besojë, por është e vërtetë", shprehet Kocevski.

Te ISHT-ja, është hetuar roli dhe përgjegjësia e secilit veç e veç, por për dallim nga DSSH, ai theksoi se këtu dëshmitë tregojnë se nuk ka uniformitet.

I pyetur në lidhje me akuzat nga BDI se hetimi synon anëtarët e një partie, prokurori shtetëror thekson se në këtë lëndë nuk ka kurrfarë përzgjedhje, por hetimi zhvillohet në mënyrë profesionale.

"Në këtë lëndë nuk ka asnjë selektivitet në këtë subjekt përsa i përket përkatësisë kombëtare apo partiake. Janë përfshirë të gjitha ato që ekipi i prokurorisë ka vlerësuar se kanë veprime të caktuara të inkriminuara. Sa i përket përbërjes kombëtare të hetimit, nuk mund të komentoj asgjë, pres që edhe më tutje të ketë deklarata të tilla. Prokuroria do të punojë sipas ligjit", tha Kocevski.

Ai pret që masat që ata kërkuan për 19 të dyshuarit e rinj të jenë aprovuar, meqë ato janë mbështetur me dëshmitë. Hetimi për rastin me zjarrin katastrofal duhet të përfundojë për edhe dy muaj.

Foto: MIA