• Tuesday, 02 July 2024

Ndërroi jetë gazetari Isuf Kadriu

Ndërroi jetë gazetari Isuf Kadriu

Shkup, 23 qershor 2024 (MIA)- Ka ndërruar jetë Isuf Kadriu, zëvendëskryeredaktor i Televizionit Alsat. Kadriu ndërroi jetë në moshën 52 vjeçare pas një sulmi kardiak në qytetin turistik Shëngjin të Shqipërisë, ku ishte për pushime me familjen e tij.

Shkollimin e mesëm e ka mbaruar në gjimnazin e Gjilanit, ndërsa studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës, si njëri ndër gazetarët e parë të diplomuar nga Maqedonia e Veriut.

Që nga viti 2008 ka qenë zëvendëskryeredaktor i televizionit Alsat-M ku ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në procesin e organizimit dhe mbarëvajtjes së punës në programin informativ të televizionit.

Gjatë punës së tij shquhej për përkushtim të madh profesional dhe për kolegjialitet në punë.

Karriera në gazetari e Isuf Kadriut fillon në vitin 1998 në Televizionin ERA, ndërsa që na viti 1999 në Programin në Gjuhën shqipe të Televizionit të Maqedonisë së Veriut ku punoi si redaktor i lajmeve deri në vitin 2008, përfshirë edhe periudhën sensitive të konfliktit të vitit 2001, gjatës së cilës me përkushtim të pashoq, duke mos kursyer asgjë në aspektin profesional për të kontribuar për informimin e drejtë dhe objektiv të opinionit publik lidhur me zhvillimet në terren, ndërsa shpesh edhe vetë duke qenë në rolin e reporterit të luftës në zonat e përballjeve mes forcave policore ushtarake dhe ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Paralelisht me angazhimet në mediat e vendit, edhe atë në pozicione pune me përgjegjësi, Kadriu që nga viti 2001 dhe në vazhdimësi ka qenë korrespondent i përhershëm i Radios Evropa e Lirë (REL) nga Shkupi, prej ku ka raportuar për zhvillimet politike, ekonomike, kulturore e ngjarje tjera që kanë ndodhur në Shkup e në vend. 

Është i martuar dhe baba i tre fëmijëve.