Ministria e Marrëdhënieve mes Bashkësive: Akuzat e BDI-së janë të pabaza, nuk bëhet fjalë për diskriminim, por për akte të miratuara ligjërisht për ndërprerjen e marrëdhënies së punës
- Akuzat e paraqitura nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) janë të pabaza dhe nuk pasqyrojnë gjendjen faktike, duke pasur parasysh se Ministria e Marrëdhënieve mes Bashkësive vepron ekskluzivisht në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe aktet nënligjore, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, barazisë dhe mosdiskriminimit, thuhet në Kabinetin e zëvendësministrit dhe ministër për Marrëdhëniet mes Bashkësive, Ivan Stoilkoviq.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:58, 25 March, 2026
Shkup, 25 mars 2026 (MIA) - Akuzat e paraqitura nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) janë të pabaza dhe nuk pasqyrojnë gjendjen faktike, duke pasur parasysh se Ministria e Marrëdhënieve mes Bashkësive vepron ekskluzivisht në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe aktet nënligjore, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, barazisë dhe mosdiskriminimit, thuhet në Kabinetin e zëvendësministrit dhe ministër për Marrëdhëniet mes Bashkësive, Ivan Stoilkoviq.
Në reagimin ndaj njoftimit të sotëm të BDI-së theksojnë se nuk bëhet fjalë për diskriminim, as për veprim selektiv apo të motivuar politikisht, por për akte të marra në përputhje me ligjin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së nënpunësve administrativë, për shkak të shkeljeve të konstatuara të rendit dhe disiplinës në punë, si dhe cenimit të reputacionit të Ministrisë, në përputhje me dispozitat ligjore dhe nënligjore në fuqi.
"Ministria vepron ekskluzivisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, Ligjin për nënpunësit administrativë, Ligjin për të punësuarit në sektorin publik, Ligjin për marrëdhëniet e punës, Kodin etik të Ministrisë për Marrëdhënie mes Bashkësive, si dhe aktet e tjera relevante, duke respektuar parimet e barazisë, mosdiskriminimit, ligjshmërisë dhe përfaqësimit të drejtë. Përpjekja për të paraqitur procedurën si çështje ndëretnike apo politike është plotësish e pabazë dhe përbën një përpjekje për manipulim të rëndë të opinionit publik, gjë që nuk kontribuon në mbrojtjen e marrëdhënieve ndëretnike, por përkundrazi, krijon tensione të panevojshme dhe cenon besimin në institucionet", thonë nga Kabineti i zëvendëskryeministrit dhe ministër i Marrëdhënieve mes Bashkësive. qa.
Foto: Arkivi i MIA-s