• Sunday, 01 September 2024

Ministri Toshkovski në Forumin e Sigurisë Xhorxh Marshal në Ohër: Sfidat e sigurisë i tejkalojmë në bashkëpunim me partnerët tanë

Ministri Toshkovski në Forumin e Sigurisë Xhorxh Marshal në Ohër: Sfidat e sigurisë i tejkalojmë në bashkëpunim me partnerët tanë

Shkup, 31 gusht 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot mori pjesë në “Forumin e sigurisë në Ohër” në organizim të studentëve të diplomuar të Qendrës për Studime të Sigurisë Marshal, në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë dhe të ambasadave të SHBA-së dhe RF të Gjermanisë.

Në fjalën e tij, ministri Toshkovski theksoi se vlerat e përbashkëta euroatlantike janë shtytësi bazë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në tejkalimin e dallimeve dhe vazhdimin e rrugës së tyre drejt integrimeve euroatlantike.

“Si anëtare e NATO-s, siguria dhe stabiliteti janë përmirësuar ndjeshëm si për vendin tonë poashtu edhe për të gjithë rajonin. Ne bashkëpunojmë shumë më ngushtë me të gjithë fqinjët tanë që janë anëtarë të Aleancës dhe bashkërisht kontribuojmë në vetë funksionimin dhe zhvillimin e Aleancës”, theksoi ndër të tjerave ministri Toshkovski.

Në fjalën e tij, Toshkovski përcaktoi kërcënimet kryesore të sigurisë, tendencat dhe sfidat me të cilat përballet vendi ynë, si kriminaliteti i organizuar dhe korrupsioni, migracioni ilegal, trafikimi me qeniet njerëzore, kontrabanda me migrantë...

“Migriacioni i kundërligjshëm dhe format e ndryshme të krimit ndërkufitar janë një nga sfidat tona kryesore si Ministri. Këtu mund të përmend edhe kërcënimet hibride që janë rajonale dhe globale dhe përmes veprimeve jokonvencionale, sulmeve psikologjike dhe kibernetike, spiunazhit, përhapjes së dezinformatave që synojnë krijimin e një perceptimi të pasigurisë dhe mosbesimit të qytetarëve në institucionet demokratike. “Të kujtojmë sulmet hibride që i kemi pasur në vitin 2022 dhe 2023 në territorin e gjithë vendit”, potencoi ministri Toshkovski.

Toshkovski theksoi se për të zvogëluar mundësinë e përhapjes së lajmeve të rreme, spekulimeve dhe panikut, MPB i informon rregullisht qytetarët në përputhje me kompetencat e saja dhe në atë drejtim nënvizoi faktin se për vitin 2024 MPB ka arritur në 95,7 % indeks të transparencës aktive, që e vendos atë në tre institucionet kryesore qeveritare për sa i përket transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve.

Në fund, Toshkovski përmendi sfidat e tjera me të cilat po merret Ministria, si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi në të gjitha format e tij - nacionale, politike dhe fetare, dhe nënvizoi se ajo mbetet e përkushtuar, së bashku me vendet e tjera nga Ballkani Perëndimor dhe rajon dhe më gjerë, përmes bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha institucionet ndërkombëtare të sigurisë në drejtim të tejkalimit të këtyre sfidave dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e saj. bsh/

Foto: MPB