Micotakis, Erdogan, Rama dhe Hristodulidis në bisedë joformale në Budapest
- – Bisedë joformale në margjinat e Samitit të Bashkësisë Politike Evropiane në Budapest kishin presidentët e Turqisë dhe Qipros, Rexhep Taip Erdogan dhe Nikos Hristodulidis dhe kryeministrat e Greqisë dhe Shqipërisë, Kirjakos Micotakis dhe Edi Rama, sipas fotografive nga kabineti i kryeministrit grek dhe nga zëdhënësi i Qeverisë qipriote, që i publikoi në rrjetet sociale, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.
- Post By Fitore Curri
- 16:17, 7 November, 2024
Athinë, 7 nëntor 2024 (MIA) – Bisedë joformale në margjinat e Samitit të Bashkësisë Politike Evropiane në Budapest kishin presidentët e Turqisë dhe Qipros, Rexhep Taip Erdogan dhe Nikos Hristodulidis dhe kryeministrat e Greqisë dhe Shqipërisë, Kirjakos Micotakis dhe Edi Rama, sipas fotografive nga kabineti i kryeministrit grek dhe nga zëdhënësi i Qeverisë qipriote, që i publikoi në rrjetet sociale, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Sipas televizionit shtetëror grek ERT, katër liderët në diskutimin e shkurtër joformal shkëmbyen mendime për rezultatet nga zgjedhjet amerikane, si dhe për ngjarjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Para fillimit të Samitit të pestë të Bashkësisë Politike Evropiane dhe Këshillit Evropian, kryeministri i Greqisë theksoi se takimet janë në kohë të turbulencave të mëdha gjeopolitike, edhe një herë e uroi presidentin amerikan Tramp dhe shfaqi shpresë se “marrëdhëniet transatlantike do të mbesin të fuqishme me qëllim që të zgjidhen çështjet e rëndësishme rajonale dhe globale”.
“Gjithsesi, ne si evropianë duhet të jemi mjaft realistë dhe nuk mund t'i qasemi këtij partneriteti transatlantik nga një pozicion dobësie. Evropa nuk mund ta ndryshojë botën, por sigurisht që mund të ndryshojë veten për t'u përballur me një botë në ndryshim. Prandaj, bisedat që do të kemi në Këshillin Evropian, veçanërisht për çështjet e konkurrencës evropiane, janë veçanërisht aktuale. Besoj se ka ardhur koha që të ‘zgjohemi’ nga naiviteti ynë gjeopolitik dhe të kuptojmë se duhet të sigurojmë burime shtesë për të qenë në gjendje të përballemi me sfidat e mëdha, qofshin ato çështje të konkurrencës apo çështje të mbrojtjes evropiane”, deklaroi Micotakis. fc/