Mickoski: Kemi mjaft karburant dhe energji elektrike, është e mundur tërheqja e mazutit nga rezervat shtetërore
- Maqedonia ka absolutisht mjaftueshëm karburant dhe nuk po shqyrton kufizimin e shitjes, edhe pse njerëzit nga fqinjësia gjithashtu furnizohen me benzinë në pompat tona, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski. Nevojat për energji elektrike janë përmbushur gjithashtu, por është ende e mundur të tërhiqet mazut nga rezervat shtetërore.
- Post By Sara Ademi
- 13:18, 24 March, 2026
Shkup, 24 mars 2026 (MIA) - Maqedonia ka absolutisht mjaftueshëm karburant dhe nuk po shqyrton kufizimin e shitjes, edhe pse njerëzit nga fqinjësia gjithashtu furnizohen me benzinë në pompat tona, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski. Nevojat për energji elektrike janë përmbushur gjithashtu, por është ende e mundur të tërhiqet mazut nga rezervat shtetërore.
Siç përmendi Mickoski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas tryezës së rrumbullakët në Gjykatën Kushtetuese, për rreth 10 për qind gjithsej është rritur konsumi i karburantit në vend. Naftëpërçuesi është në funksion të plotë, që paraqet siguri shtesë, depot janë plot sipas ligjit, ndërsa rezervat shtetërore janë rreth gjashtëdhjetë ditë.
Kryeministri, shtoi edhe se, sipas informatave të tij, se një pjesë e aeroporteve të rrethinës furnizohen me kerozinë nga këtu.
Nga një vend që gjunjëzohej dhe lutej, Maqedonia, theksoi Mickoski, po bëhet një shtet që gjeneron stabilitet në rajon.
"Kemi sasi absolutisht të mjaftueshme për nevojat e qytetarëve dhe biznesit. Është rritur konsumi në zona të caktuara kufitare, me Shqipërinë, në veri me Kosovën dhe Serbinë, dhe në jug me Greqinë. Përafërsisht, konsumi i përgjithshëm është rritur për 10%, sepse një pjesë e madhe e qytetarëve nga këto vende vijnë tek ne dhe mbushin karburant në pikat e karburantit te ne, për shkak se çmimi i karburanteve te ne, në disa raste, është edhe deri në gjysmë euro (50 euro centë) për litër më lirë se ai tek ata. Për dallim nga e kaluara kur, si vend gjunjëzoheshim dhe lypnim ndihmë, tani ne jemi ata që gjenerojnë stabilitet dhe japin ndihmë. Dua të them se edhe naftësjellësi është në funksion të plotë, gjegjësisht tubacioni është plot, gjë që paraqet siguri shtesë, depot janë plot sipas ligjit, rezervat shtetërore janë rreth gjashtëdhjetë ditë, kështu që në këtë moment, absolutisht nuk ka asnjë nevojë për një masë të tillë. Dhe jo vetëm me karburantet dizel dhe me benzinat pa plumb me 95 dhe 98 oktanë, jam i informuar se edhe një pjesë e aeroporteve përreth furnizohen me kerozinë nga OKTA, gjegjësisht prej nesh. Kështu që nga një vend që, do të përsëris, gjunjëzohej dhe lypte, po bëhemi një vend që gjeneron stabilitet në rajon; natyrisht sfida ka dhe do të ketë. Dhe ato sfida ne do t'i zgjidhim. Por ajo që është më e rëndësishmja dhe është prioriteti ynë, është se si shtet kemi çmimin më të ulët të karburanteve për qytetarët tanë dhe çmimin më të ulët të karburanteve për biznesin", theksoi kryeministri.
Kur u pyet nëse po shqyrtonte mundësinë e lirimit të rezervave të mazutit për prodhimin e energjisë elektrike, ai u përgjigj pozitivisht.
"Në këtë moment po mendojmë për këtë, por morëm edhe informacion se sasitë që duhej të tërhiqeshin në fund të vitit të kaluar, kur u shpall një situatë krize, rreth 3.000 ton, nuk janë tërhequr plotësisht. Pra, ndoshta do ta ringjallim atë vendim, për të tërhequr ato sasi, dhe pastaj ndoshta do të dalim me një vendim të ri. Sot u informova nga drejtori i SHA EMV se jo vetëm që plotësojnë nevojat e qytetarëve dhe konsumatorëve, por shesin edhe natën, që do të thotë se kemi të ardhura shtesë nga konsumatorët", theksoi Mickoski. sa/
Foto: MIA