Mickoski: Jemi të përkushtuar në ndërtimin e një partneriteti të fortë me Turqinë
- Jemi të përkushtuar si shtet që të ndërtojmë një partneritet të fortë dhe të konfirmojmë miqësinë mes Maqedonisë dhe Turqisë në nivel ekonomik, politik dhe kulturor, theksoi sot pasdite kryeministri Hristijan Mickoski i cili gjendet për vizitë të parë zyrtare në Turqi.
- Post By Fami Bajrami
- 17:47, 28 February, 2025

Shkup, 28 shkurt 2025 (MIA) - Jemi të përkushtuar si shtet që të ndërtojmë një partneritet të fortë dhe të konfirmojmë miqësinë mes Maqedonisë dhe Turqisë në nivel ekonomik, politik dhe kulturor, theksoi sot pasdite kryeministri Hristijan Mickoski i cili gjendet për vizitë të parë zyrtare në Turqi.
"Më duhet të konfirmoj marrëdhëniet e mira mes dy popujve. Komuniteti turk në vendin tonë është pjesë lojale e shoqërisë së Maqedonisë, siç është edhe komuniteti maqedonas në Turqi pjesë e rëndësishme e shtetit turk. Unë në presidentin Erdogan shoh një mbështetës dhe mik të madh. E kaluara e tij, ashtu si e kaluara e Turqisë lidhet me atdheun tim dhe kjo është gjithashtu një rast i mirë për të thënë se ai është gjithmonë i mirëseardhur në Shkup, në Ohër dhe kudo në vendin tonë dhe shpresoj se do ta bëjë këtë shumë shpejt. Jam i bindur se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë të zhvillohet në frymën e respektit të ndërsjellë dhe interesave të përbashkëta me qëllim për të siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë", tha kryeministri.
Mickoski ka thënë se ka pasur një takim jashtëzakonisht domethënës dhe konstruktiv me presidentin Erdogan dhe theksoi se ky takim është konfirmim i miqësisë tradicionale, partneritetit të fortë dhe bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve tona.
"Më paraqet kënaqësi të madhe që kjo është vizita ime e parë në Turqinë mike, vend me të cilin kemi shumë elemente të përbashkëta në kulturë, traditë, interesa të përbashkëta dhe marrëdhënie të shkëlqyera mes popullit maqedonas dhe turk, qytetarëve të Maqedonisë dhe Turqisë. Në takim u bisedua për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në disa fusha, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik, investimet dhe tregtinë. Turqia është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm ekonomik, por edhe një forcë e domosdoshme me ndikim të madh në rajon dhe angazhimi ynë i përbashkët është të rrisim investimet turke në Maqedoni dhe të krijojmë mundësi të reja për kompanitë e vendit në tregun turk. Tashmë kemi shumë shembuj pozitiv të kompanive turke që punojnë te ne, në fushën e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore dhe nga ana tjetër, së fundmi dhe siç e kemi paralajmëruar, kemi bashkëpunim në sektorin e energjetikës me një kompani të rëndësishme dhe të madhe turke për investime në ndërtimin e termocentraleve me gaz kogjenerues, rrjeteve të ujit të ngrohtë dhe gazit në vlerë deri në një miliard dollarë”, tha Mickoski.
Ai theksoi se ai dhe Erdogani kanë biseduar poashtu për nxitjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, arsimit, kulturës dhe shëndetësisë. Ai theksoi se të dyja vendet janë aleatë të NATO-s dhe prioriteti ynë i përbashkët është stabiliteti dhe siguria në rajon.
Mickoski dhe Erdogani kanë nënshkruar deklaratë politike për themelimin e këshillit për bashkëpunim në nivel të lartë mes qeverive të dy shteteve.
"Ky është një hap i rëndësishëm për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, ndërsa bazat për këtë janë në dokumentin 'Strategjia për përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Maqedonisë dhe Turqisë' të nënshkruar në vitin 2008. Me qëllim të zhvillimit të partneritetit strategjik, kemi marrë vendim për themelimin e këshillit të nivelit të lartë me qëllim të thellimit dhe intensifikimit të bashkëpunimit në të gjitha sferat me interes të ndërsjellë në nivel bilateral, rajonal dhe global", tha kryeministri Mickoski në konferencën për shtyp pas nënshkrimit të deklaratës.
Mickoski paralajmëroi thellimin e bashkëpunimit në disa sfera, me theks të veçantë në tregti, si dhe u bisedua për bashkëpunim në fushën e sigurisë, arsimit, kulturës dhe shëndetësisë.
"Të dy vendet janë aleatë në NATO, ndërsa prioriteti ynë i përbashkët është stabiliteti dhe siguria në rajon. Jemi të përkushtuar si shtet për ndërtimin e një partneriteti të fortë dhe konfirmimin e miqësisë mes dy vendeve në nivel ekonomik, politik dhe kulturor”, tha Mickoski.
Nga ana tjetër, presidenti Erdogan i cili ka shprehur kënaqësinë e tij që është nikoqir i kryeministrit Mickoski dhe delegacionit të tij në Stamboll, theksoi se qëllimi i dokumentit është që shkëmbimi tregtar që vitin e kaluar arriti rreth një miliard euro, të jetë në të njëjtin raport mes dy vendeve.
"Vitin e kaluar ne kemi pasur rreth një miliardë dollarë shkëmbim tregtar dhe mendoj se në rastin e parë duhet ta sjellim në mënyrë të dyanshme. Ekziston një Marrëveshje për tregti të lirë midis dy vendeve që duhet të rishikohet përsëri. Sot iu referuam konkretisht marrëdhënieve që kemi në fushën ushtarake dhe në sferën e industrisë së mbrojtjes. Turqia është një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e Maqedonisë së Veriut. Si bashkëpunëtori ynë në NATO, ne jemi dy vende mike që ndikojnë drejtpërdrejt në ruajtjen e paqes në Ballkan. Marrëdhëniet tona mbi 30 vjeçare janë po aq të forta sa Ura e Gurit në Shkup," tha Erdogan.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e komunitetit turk në Maqedoninë e Veriut për ruajtjen e marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve.
"Ballkani nuk duhet parë si vend për konkurrencë mes kombeve. Përkundrazi, duhet të jetë një fushë për bashkëpunim dhe zhvillim të përbashkët. Gjëja më domethënëse që lidh dy vendet janë turqit që jetojnë dhe komuniteti i tyre në Maqedoninë e Veriut. Ata më parë migruan nga Anadollu dhe erdhën në Maqedoninë e Veriut në atë gjeografi dhe formuan themelet e tyre kulturore që na lidhin", tha Erdogan.
Ai tha se në bisedat e tyre i kishte përmendur kryeministrit se “kjo miqësi e jona është nën presionin e FETO-s dhe duhet të luftojmë bashkë kundër tyre”.
Të dy madje shkëmbyen mendime për çështjet gjeostrategjike rajonale dhe globale si konflikti në Ukrainë dhe Gazë.
Foto: Qeveria