
12:00/ 29 prill/2024
Shkup - Analizat e Sektorit për kontroll sanitar, të bëra në 149 mostra nga 41 pika matëse në qytet, në periudhën prej 22 deri më 26 prill, kanë treguar se uji në Shkup është i sigurt për pije, njoftojnë nga NP Ujësjellës dhe kanalizim.
Athinë - Dy shtetas të Maqedonisë së Veriut u arrestuan në Greqi, ndërsa më pas edhe u dënuan me burg, pasi policia greke të premten gjatë bastisjes në vendkalimin kufitar Dojran tek ata gjeti 599 dokumente blanko të falsifikuara, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Moskë - Pesë militantë janë vrarë në republikën ruse Karaçaj-Çerkezija pasi hodhën një bombë ndaj policisë dhe hapën zjarr, me ç'rast u vranë dy policë, ndërsa katër u plagosën, kumtoi sot policia përmes publikimit në aplikacionin Telegram.
Kiev - Kryetari i Kievit, Vitalij Kliçko e akuzoi qeverinë ukrainase se po bën shumë pak në luftën kundër korrupsionit në vend, informon DPA.
Londër - Premier liga mund të vendos kufizim të pagave. Pritet që sot klubet e Kampionatit anglez të futbollit të votojnë për ndryshimin, transmeton "Sky Sports".
Uashington - Ushtria amerikane këtë mëngjes ka rrëzuar pesë fluturake pa pilot mbi Detin e Kuq, publikoi Komanda qendrore amerikane në rrjetin social Iks.
Gazë - Të paktën 22 persona e kanë humbur jetën në sulmet izraelite gjatë natës ndaj qytetit Rafah në pjesën jugore të Gazës, kumtuan autoritetet shëndetësore palestineze. Mes të vrarëve janë gjashtë gra dhe pesë fëmijë.
Najrobi - Kenia e shtyu hapjen e shkollave për një javë për shkak të pasojave nga vërshimet e mëdha të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm të cilët e goditën këtë vend të Afrikës Lindore nga mesi i marsit dhe deri më tani morën gati 100 jetë.