Mexhiti: Vendosëm lule në nderim të viktimave të tragjedisë në Koçan – jemi bashkë në këtë dhimbje!
- Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë në një homazh të organizuar në Sheshin Skënderbeu ku u vendosën lule në nderim të viktimave të tragjedisë së rëndë në Koçan.
- Post By Fami Bajrami
- 22:21, 16 March, 2025

Shkup, 16 mars 2025
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë në një homazh të organizuar në Sheshin Skënderbeu ku u vendosën lule në nderim të viktimave të tragjedisë së rëndë në Koçan.
“Sonte, në Sheshin Skënderbeu, vendosëm lule në nderim të jetëve të humbura të viktimave në tragjedinë e Koçanit. Së bashku, e ndajmë dhimbjen e solidarizohemi me njëri-tjetrin. Sonte, në gjuhë të ndryshme flasim, por njëjtë i vajtojmë dhe pikëllohemi për të rinjtë dhe të rejat tona që i humbëm padrejtësisht. Lutjet dhe mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të lënduarit. Ata nuk janë vetëm në këtë dhimbje! Jemi bashkë!”, ka shkruar Mexhiti.
Gjatë homazhit, mes viktimave u përkujtua edhe futbollisti i KF Shkupi, Andrej Lazarov, i cili humbi jetën tragjikisht në këtë ngjarje. Një fanellë e klubit të tij u vendos në nderim të tij, si simbol i dhimbjes dhe respektit ndaj një talenti të ri që u shua para kohe.
Ky akt simbolik i homazhit shpreh solidaritetin me familjet e viktimave dhe të lënduarve, ndërsa institucionet shtetërore kanë premtuar angazhim maksimal për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve.
Lëvizja Demokratike
______________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.