• Friday, 22 November 2024

Mexhiti: Gjuha është përcaktuesi themelor i tërësisë shqiptare, që kalon kufijtë politikë

Mexhiti: Gjuha është përcaktuesi themelor i tërësisë shqiptare, që kalon kufijtë politikë

Shkup, 22 nëntor 2024 (MIA) -  Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti në emër të Qeverisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut u drejtua në manifestimin shkencor të titulluar “Ditët e Alfabetit” nën organizim të Institutit për Tashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve - ITKSHSH.

Siç njofton MMJPH-ja, zëvendëskryeministri Mexhiti, nën kujdesin e të cilit organizohen eventet për shënimin e kësaj ngjarje të rëndësishme për popullin shqiptar, në manifestim tha se të flasësh për identitetin shqiptar si identitet përbërës i peisazhit të pasur kulturor e identitar evropian, e të mos flasësh për gjuhën si themelin e tij, është e pamundur.

"Gjuha është përcaktuesi themelor i tërësisë shqiptare që kalon kufijtë politikë e territorialë, dhe që homogjenizon kombin shqiptar si një tërësi sot.  Që një popull të jetojë ose të mbijetojë, nevojitet kodifikimi ose sistemimi i memories kolektive në një formë të organizuar ose thënë më thjeshtë, në dëshmi të shkruara që i mbijetojnë kohës.  E që këto dëshmi të ruhen, të organizohen në mendime, letërsi, art, koncepte politike e të ngjashme, duhet ekzistuar një element homogjenizues i organizuar i identitetit kombëtar çfarë është gjuha.  Dhe gjuha pa alfabet nuk ka modus shprehjeje, nuk ka zë, është sikur e paqenë’, tha Mexhiti.

Ai shtoi se në një botë gjithnjë e më të integruar dhe të dominuar nga i ashtuquajturi imperializëm gjuhësor dhe nga dominimi i “gjuhës”, shenjave, kodeve të teknologjisë, detyra jonë si intelektualë, politikanë, studiues e kërkues, ngelet që të bëjmë përpjekje për të ruajtur gjuhën dhe identitetin tonë kulturor.

"Në këtë kontekst, politikat gjuhësore të institucioneve janë të një rëndësie pothuajse ekzistenciale për mbrojtjen dhe kultivimin e identitetit gjuhësor të një grupi etnik, prandaj, dua të deklaroj publikisht para jush se Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e determinuar për të ndërtuar një politikë të atillë institucionale e cila do t’i respektojë dhe kultivojë dallimet gjuhësore dhe ato do t’i trajtojë si asete dhe vlera të shtuara të shoqërisë.  Për ta dëshmuar këtë, ne do të mbështesim dhe stimulojmë ngjarje kulturore e artistike, projekte shkencore e akademike, të cilat do ta kultivojnë diversitetin tonë si një cilësi të çmuar për të cilën jemi krenarë të gjithë’, tha Mexhiti.

Në manifestimin morën pjesë ministra, deputetë, diplomatë nga  Ambasadat e SHBA-së, vendeve të Bashkimit Evropian, Shqipërisë, Kosovës dhe nga shtetet e rajonit.  

Eventet për shënimin e Ditës së Alfabetit shqip, nën patronatin e zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti filluan sot me Akademi Solemne në Qeverinë e RMV-së, më pas me manifestim shkencor në ITKSHSH dhe me me Ndarjen e Çmimit “22 Nëntori” në Kuvendin republikan, në pjesën e dytë në Manastirin e shkronjave me vizitë në Muzeun e Alfabetit, zhvillimin e Ekspozitës “22 Nëntori në Telajo” në sheshin e Manastirit, Panel diskutim “22 Nëntori-Dita e Alfabetit, Gjuha shqipe-identiteti ynë” dhe përmbyllen në mbrëmje me Koncert në Pallatin e Kulturës në Manastir. bsh/