Ljutkov: Gjuha maqedonase është themeli i identitetit tonë, rojtar i trashëgimisë kulturore dhe urë ndaj brezave të ardhshëm
- Gjuha amtare është më shumë se një mjet komunikimi, është themel i identitetit tonë, rojtar i trashëgimisë kulturore dhe urë ndaj brezave të ardhshëm, theksoi ministri i Kulturës Zoran Ljutkov në shënimin e sotëm të Ditës Ndërkombëtare të gjuhës amtare-21 shkurti që u mbajt në Institutin për Gjuhën Maqedonase "Kërste Misirkov" në Shkup.
- Post By Sara Ademi
- 15:32, 20 February, 2025

Shkup, 20 shkurt 2025 (MIA) - Gjuha amtare është më shumë se një mjet komunikimi, është themel i identitetit tonë, rojtar i trashëgimisë kulturore dhe urë ndaj brezave të ardhshëm, theksoi ministri i Kulturës Zoran Ljutkov në shënimin e sotëm të Ditës Ndërkombëtare të gjuhës amtare-21 shkurti që u mbajt në Institutin për Gjuhën Maqedonase "Kërste Misirkov" në Shkup.
"Shpirti ynë është maqedonishtja, gjuha jonë është maqedonishtja - gjuhë e shekujve, gjuhë e këmbënguljes, një gjuhë që e ka thurur fillin në strukturën e historisë, e pathyer, krenare dhe e papushtuar", tha ministri Ljutkov.
Gjuha amtare, siç theksoi ai, është vula jonë e ekzistencës dhe zëri që dëshmon se kush jemi dhe çfarë kemi qenë.
Drejtoresha e Institutit për gjuhën maqedonase "Kërste Misirkov", Elena Jovanova-Grujovska theksoi se në kushte të globalizimit intensiv shumë gjuhë më të vogla janë në rrezik të zhdukjes, por gjuha maqedonase nuk është e rrezikuar.
Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare shënohet çdo vit më 21 shkurt dhe synon ta promovojë diversitetin kulturor dhe gjuhësor dhe shumëgjuhësinë. Kjo ditë është shpallur nga UNESKO në vitin 1999, në nder të katër studentëve të cilët humbën jetën në Bangladesh në vitin 1952, duke luftuar për njohjen e gjuhës së tyre amtare, bengalit. sa/
Foto: MIA