• Thursday, 09 April 2026

Ligji për përfaqësim të drejtë do ta përmirësojë cilësinë e punës së administratës publike, thotë Mickoski

Ligji për përfaqësim të drejtë do ta përmirësojë cilësinë e punës së administratës publike, thotë Mickoski

Shkup, 8 prill 2026 (MIA) - Ligji për përfaqësim të drejtë, përveç përfaqësimit adekuat, do të përmirësojë cilësinë e punës së administratës, deklaroi sot kryeministri, Hristijan Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, i cili mori pjesë në rindërtimin e një rruge në komunën Shuto Orizarë. Ligji së shpejti duhet të hyjë në procedurë parlamentare, ka kaluar të gjitha filtrat e Qeverisë, ka marrë mendim pozitiv nga Komisioni i Venecias dhe përveç përfaqësimit të drejtë, do të ofrojë edhe cilësi, e cila, siç theksoi kryeministri, ndoshta nuk ka qenë në fokus deri më tani.

“Mendoj se me këtë ligj për përfaqësim të drejtë, më në fund do të kapërcehen të gjitha stereotipet nga e kaluara, të gjitha elementet antikushtetuese, gjithçka që ishte, do të thoja, pengesë në të kaluarën. Më në fund, ofrohet zgjidhje që do t'i zgjidhë këto probleme dhe do të na lejojë të gjithëve të ndërtojmë atdheun tonë të përbashkët, Maqedoninë, së bashku me përfaqësim të drejtë”, deklaroi Mickoski.

Kryeministri beson se qëllimi kryesor i ligjit është përmirësimi i cilësisë së funksionimit të administratës. Ai shtoi se si Qeveri dhe si kryetar, është pajtuar me kushtet që u kërkuan nga sindikatat - Sindikata e Administratës, Administratës Shtetërore dhe Gjyqësorit të Maqedonisë dhe Sindikata e Punëtorëve të Administratës, Organeve të Jurisprudencës dhe Shoqatave të Qytetarëve, në seancën e fundit të Këshillit Ekonomik - Social në lidhje me rritjen e pagave, dhe theksoi se është e rëndësishme të arrihet cilësi më e mirë nga administrata.

“Ky është qëllimi ynë kryesor. Në Këshillin e fundit Ekonomik-Social, para partnerëve, por edhe para sindikatave të degëve sindikale në administratë dhe SAASH dhe AOJSHQ, unë u pajtova me kushtet si kryetar i Qeverisë, me kushtet që ata kërkuan nga Qeveria. Por pastaj bëra pyetje: A jeni dakord që ne duhet të masim kënaqësinë e qytetarëve me punën e administratës? Ne e kemi matur këtë për të tretin muaj me radhë” tha kryeministri.

Mickoski theksoi se sot nuk do t’i ndajë numrat, por paralajmëroi se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Ekonomik – Social do t’i prezantojë para partnerëve. 

“Sepse, ja marrëveshje historike, rritje historike të pagave, e gjithë ajo që kërkohej nga ne si Qeveri ne e bëmë, tani presim që bashkë me qytetarët nga ana e administratës të marrim cilësi më të mirë”, deklaroi kryeministri. 

Ai shtoi se është i vetëdijshëm se me zgjidhje ligjore nuk mund të zgjidhet gjithçka duke theksuar se është e nevojshme vetëdije dhe të punohet edhe në mentalitetin dhe përsëriti se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Ekonomik – Social do ti prezantojë rezultatet para partnerëve. fc/

Foto: MIA