• Tuesday, 12 November 2024

Liderët e BE-së: Evropa pas kthimit të Trampit duhet të marrë kontrollin mbi fatin e vet

Liderët e BE-së: Evropa pas kthimit të Trampit duhet të marrë kontrollin mbi fatin e vet

Budapest, 8 nëntor 2024 (MIA) - Rikthimi i Donald Trampit në postin e presidentit të SHBA-së dominon në takimin joformal të liderëve të Bashkimit Evropian në Budapest, ndërsa porosia e tyre e përgjithshme është se Evropa duhet të marrë kontrollin mbi fatin e saj.

Liderët e BE-së sonte po debatojnë mbi konkurrencën e ekonomisë së bllokut evropian të 28 vendeve.

Kryetari në largim i Këshillit të Evropës, Sharl Mishel për të cilin ky është samiti i fundit evropian është i bindur se liderët e Unionit mund të dalin para opinionit me një deklaratë që mund të shërbejë si kornizë për forcimin e kësaj konkurrence, transmeton Beta.

Rizgjedhja e republikanit Donald Tramp, pas katër viteve të administratës së presidentit demokrat Xhozef Bajden në SHBA ka rritur "ndjenjën e urgjencës" midis evropianëve, deklaroi ish kryetari i Bankës qendrore evropiane, Mario Dragi teksa prezantoi raportin e ri.

Sipas tij, ajo që BE-ja duhet ta zgjidhë urgjentisht është “fragmentimi i tregut të përbashkët dhe unionit të tregjeve evropiane të kapitalit”.

Kryeministri në largim i Belgjikës, Aleksandar de Kro, vlerësoi se rizgjedhja e Trampit mund të shërbejë si një katarzë për Bashkimin Evropian.

“Kjo mund të na bëjë më të fortë”, tha de Kro, duke shtuar: “Evropa ndonjëherë ka nevojë për momente të tilla, kur përballet me faktet. Kjo mund të japë një shtytje të re”.

Ai bëri thirrje për dialog me Trampin për t'i bërë të qartë se lufta tarifore mund të prekë edhe SHBA-në, ndërsa Kina është një konkurrente e të dyjave.