• Friday, 04 October 2024

KPMD konstaton diskriminim ndërsektorial ndaj gjashtë punëtoreve maqedonase në UNB

KPMD konstaton diskriminim ndërsektorial ndaj gjashtë punëtoreve maqedonase në UNB

Shkup, 3 tetor 2024 (MIA) - Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi (KPMD) ka konstatuar se është bërë diskriminim ndërsektorial nga ana e Universitetit ndërkombëtar ballkanik (UNB) ndaj gjashtë punëtoreve maqedonase. Sipas parashtresës, universiteti ka liruar nga puna këto gra pa arsye të panjohura. KPMD rekomandon që Universiteti t'i kthejë në punë, në të kundërtën paralajmëron procedurë kundërvajtëse.

Sipas pretendimeve në parashtresë, UNB ka marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës ndaj gjashtë grave të përkatësisë maqedonase. Prej tyre, katër punonjës me kontratë në afat të pacaktuar janë shpallur si tepricë teknologjike, megjithëse të gjithë kanë pasur mbi 10 vite stazh dhe kanë qenë ndër punonjësit e parë me më shumë përvojë, ndërsa dy të tjerave u është dhënë shkresë me lajmërimin se nuk do t’u vazhdohen kontratat dhe të mos vijnë në punë deri në skadimin e kontratës. Ata thonë se si rezultat i këtyre largimeve, në Shkollën e anglishtes, si njësi e universitetit nuk ka mbetur asnjë maqedonase.

Denoncuesit theksojnë se arsyet për shpalljen e tyre si tepricë teknologjike janë të pabaza, pasi tashmë ka nëntë punonjës të cilëve kontrata u skadon në tetor dhe përveç kësaj ka edhe punonjës të tjerë të cilëve kontrata u skadon për një ose dy vjet. Përveç kësaj, ata konsiderojnë se kjo ka të bëjë me zvogëlimin e vëllimit të punës, për të cilën poashtu thonë se është spekulative, pasi afati i parë i regjistrimit është në gusht, kështu që nuk dihet numri faktik i studentëve të rinj.

Njëherësh ata thonë se nuk janë dhënë arsyet konkrete për largim nga puna, as kriteret për të, ndërsa nuk janë vendosur as edhe pikët konform Ligjit për marrëdhënie pune.

Krahas kësaj, përveç katër punëtorëve të cilët janë shpallur tepricë teknologjike, punëdhënësi nuk ka vazhduar kontratën edhe për dy maqedonase, ndërsa të gjithë punëtorët e tjerë (gjithsej 19) mbeten në punë.

Ndërkohë, Universiteti ndërkombëtar ballkanik (UNB) në përgjigjen e saj informon se në punën e Universitetit ka ardhur deri te ulja drastike e procesit të punës dhe me këtë ka lindur nevoja për uljen e numrit të të punësuarve.

"Për arsye ekonomike, organizative, teknologjike, strukturore nga ana e Universitetit dhe konform nevojave të funksionimit të Universitetit, është zvogëluar numri i realizuesve në vendin e punës- ligjërues në shkollën e gjuhës angleze. Gjatë këtij procesi, pohojnë se në tërësi janë respektuar të drejtat e të gjithë punëtorëve dhe janë siguruar të gjitha të drejtat ligjore që punëtorët gëzojnë konform Ligjit për marrëdhënie të punës", thuhet në vendimin e KPMD-së.

Pretendimet në parashtresën e dorëzuar në KPMD i konsiderojnë si të pabaza, të pakuptimta dhe paushale nga ana e punonjësve.

Lidhur me këtë, ata informojnë se nga gjithsej 151 të punësuar në stafin akademik (pavarësisht nëse janë ligjërues /asistentë/ docent apo profesorë), 58 janë meshkuj dhe 93 femra. Prandaj, ata konsiderojnë se nuk mund të vërtetohet se është kryer diskriminim në bazë të strukturës gjinore.

"Nëse Universiteti ndërkombëtar ballkanik nuk vepron në përputhje me këtë rekomandim, Komisioni konform kompetencave të saja do të iniciojë kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse para gjykatës kompetente", thonë madje nga KPMD.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

Tags