• Saturday, 31 August 2024

Kivimae për MIA-n: Digjitalizohuni dhe do të zbuloni më lehtë korrupsionin dhe mashtrimet

Kivimae për MIA-n: Digjitalizohuni dhe do të zbuloni më lehtë korrupsionin dhe mashtrimet

Shkup, 21 korrik 2024 (MIA) - Në Estoni, e cila konsiderohet udhëheqëse në teknologjinë digjitale në Evropë, por edhe në botë, aktualisht ka 80 vegla që bazohen në teknologjinë e inteligjencës artificiale dhe që kryejnë punët e njerëzve. Ky shtet filloi të digjitalizohej në fillim të viteve të '90-ta, kështu që tani është një mrekulli digjitale. Në Maqedoninë e Veriut, nga ana tjetër, ekspertët pajtohen se si vend kemi shumë talent dhe se po zhvillojmë gjithashtu një mrekulli të teknologjive që lidhen me inteligjencën artificiale, por ajo që është shkatërruese është se të rinjtë po ikin dhe për këtë arsye është thelbësore të bëhen përpjekje institucionale për të qëndruar këtu dhe për të punuar në zgjidhje softuerike për shtetin. 

Të mërkurën, në një sesion të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian në Maqedoninë e Veriut (NCEU-MK), Ministri për Transformimin Diгјital Stefan Andonovski tha se duhet të maksimizohet potenciali i të rinjve të talentuar që regjistrohen në fakultetet teknike në zhvillimin e sektorit të TIK në vend. 

Sipas tij, nuk mund të flasim për inteligjencë artificiale, mjete për përmirësimin e transparencës, zbulimin e rasteve të mundshme të korrupsionit, nëse mbi 90 për qind e institucioneve i ruajnë të dhënat e tyre në letër ose i shkëmbejnë ato me njëri-tjetrin në mënyrë tradicionale dhe nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën në një mjedis digjital... Sistemi ekziston, është, por institucionet, shprehet ai, nuk e përdorin. 

Andonovski njofton se iniciativa gjithëpërfshirëse e qeverisë "Maqedonia e mençur" parashikon zhvillimin e një strategjie kombëtare të TIK që do të jetë ombrellë e të gjitha aktiviteteve qeveritare dhe e cila do të jetë në përputhje me iniciativën e transformimit digjital të Komisionit Evropian të titulluar "Dekada digjitale e BE-së" ose qëllimet digjitale për vitin 2030. 

 

Juri Kivimae, ekspert estonez dhe analist i të dhënave në Departamentin e Inteligjencës në Doganat dhe Tatimet Estoneze, tha në një bisedë me MIA-n se sa më shpejt të dixhitalizohemi, aq më e lehtë do të jetë zbulimi i rasteve të korrupsionit dhe mashtrimeve.

Kivimae, i cili ishte gjithashtu pjesë e sesionit NKEU-MK, shprehet se Estonia ka filluar digjitalizimin që nga fitimi i pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik.

"Nuk do të thoja se ishte kaq e shpejtë. Gjatë viteve 1980 ne ishim një nga bërthamat teknologjike në Bashkimin Sovjetik, dhe gjatë viteve 1990 ne investuam shumë në infrastrukturën e IT dhe komunikimit, veçanërisht në fushën e arsimit, dhe ky ishte një fillim i mirë. Pra, ky proces ka vazhduar për 30-40 vjet. Ne kemi ndërmarrë hapa, kemi bërë gabime, por kemi fituar besimin e opinionit përmes përdorimit të shërbimeve digjitale dhe po ecim përpara", shprehet Kivimae për MIA-n. 

Ai thekson se në vitin 2002 filluan lëshimin e letërnjoftimeve me nënshkrim digjital, gjë që mundësoi aksesin në një numër në rritje të shërbimeve onlajn. Në vitin 2012, ata gjithashtu prezantuan letërnjoftime të lëvizshme, pas çka kanë vijuar letërnjoftimet e mençura.

Sot, shton ai, në Estoni ka një gamë të gjerë shërbimesh publike të disponueshme në internet, për shembull, shprehet ai, ju mund të kontrolloni të dhënat shëndetësore, të regjistroni kompani, të regjistroni automjet, si dhe të kontrolloni pronën tuaj dhe informacionet kadastrale. 

Në Estoni, shprehet ai, mjetet e inteligjencës artificiale (AI) quhen krate, sipas një krijese mitike nga folklori estonez, me ç'rast në shtet aktualisht përdoren mbi 80 krate (vegla) që kryejnë detyra të shumta të njerëzve dhe bazohen në teknologjinë IA. 

"Një nga shembujt e kësaj është transkriptimi automatik në kohë reale për televizionet publike. Një shembull tjetër i mirë është përdorimi i imazheve satelitore për terrenin, gjithashtu shërbimet e urgjencës kanë një transkriptim të thirrjeve që marrin dhe në shërbimet publike kemi biseda IA", sqaron Kivimae. 

 

Në pyetjen e MIA-s se sa digjitalizimi e parandalon korrupsionin, ai tha se nëse digjitalizohemi më shpejt si shtet, aq më e lehtë do të jetë zbulimi i korrupsionit.

"Nëpërmjet punës time në agjencinë tatimore dhe doganore, përgjigja ime është subjektive, por do të thosha se digjitalizimi i sistemeve tatimore dhe doganore ka ndihmuar në luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu, kalimi nga një shoqëri e bazuar në letër dhe në para të gatshme në një shoqëri pa letër dhe para të gatshme, respektivisht kartat e kreditit dhe transaksionet onlajne, padyshim që e ka bërë më të lehtë zbulimin e korrupsionit dhe mashtrimeve. Gjithashtu, komoditeti i përdorimit të këtyre shërbimeve digjitale ishte gjithashtu një ndihmë e madhe", thekson Kivimae. 

Ai bën të ditur se megjithëse shteti, si dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ka mbetur prapa në procesin e digjitalizimit, megjithatë paraqet mundësi të shkëlqyer për të shkëmbyer përvoja dhe praktika me Estoninë, si dhe me vendet tjera në Evropë. 

"Megjithëse Ballkani ka mbetur prapa në këtë proces, do të thosha se kjo është një mundësi e shkëlqyer për të mësuar nga Estonia, nga vendet e tjera në Evropë që kanë arritur larg përmes projekteve të digjitalizimit dhe digjitalizimit të sektorit publik. Me kalimin e kohës, ka gjithnjë e më shumë shembuj të praktikave të mira që mund t'i shfrytëzojë Maqedonia dhe të gjithë ata që duan të modernizojnë sektorin publik", shprehet Kivimae. 

Ai thekson se lehtësia e përdorimit të shërbimeve digjitale e ka bërë jetën më të lehtë për qytetarët e Estonisë.

"Filluam nga pothuajse asnjë shërbim digjital dhe arritëm në autentikime përmes kartave dhe telefonit, dhe pothuajse të gjitha shërbimet që më parë ofroheshin përmes zyrave ose drejtorive, tani mund të ofrohen përmes një faqe interneti të cilës qytetarët i besojnë", theksoi Kivimae.

 

 

Lidhur me zbatimin e IA në sektorin publik, ai thotë se ka metoda të ndryshme në zhvillimin e modeleve – nga një kompani që ka reputacion të mirë për zhvillimin e modeleve të IA-së, te një shkencëtar i caktuar, por përkujton se nuk është e lirë nëse modeli IA duhet të ndryshohet dhe shton se nëse nuk futen informacione cilësore, modeli i IA nuk do të jetë i vlefshëm.

Kivimae thekson se ka shumë bashkëpunim brenda BE-së në lidhje me përdorimin e IA, duke kujtuar programin Fiskalis, pjesë e të cilit është tashmë Maqedonia e Veriut. 

Neda Dimova Prokiq

foto: Frosina Naskoviq

Video: Sërgjan Kërstiq dhe Andrej Brankoviq