• Monday, 17 March 2025

Kasami: Lutemi dhe punojmë kjo të jetë tragjedia e fundit që na ndodh

Kasami: Lutemi dhe punojmë kjo të jetë tragjedia e fundit që na ndodh

Tetovë, 17 mars 2025 (MIA) - Në sheshin në Tetovë sot u bënë nderime për të rinjtë nga Koçani të cilët i humbën jetët në zjarrin në diskotekë. Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, bashkë me këshilltarin nga Komuna e Tetovës dhe nxënës të shkollave të mesme vendosën lule dhe mbajtën një minut heshtje. 

"Sot jemi këtu në Tetovë, në emrin tim personal në emrin e bashkëqytetarëve të mi që ta ndajmë dhimbjen tonë të thellë me të gjitha familjet e të vdekurve nga tragjedia në Koçan. Si Tetovë dhe tetovarë qëndrojmë të bashkuar me të gjithë që më lehtë ta kalojmë këtë dhimbje të madhe dhe këtë tragjedi që na ndodhi. Lutemi dhe punojmë që kjo të jetë tragjedia e fundit që na ndodh. Qëllimi ynë është që edhe më tutje si institucione të punojmë që rastet e tilla të eliminohen dhe të mos na ndodhin", theksoi Bilall Kasami. 

Të rinjtë nga Tetova në rrjetet sociale, gjithashtu, paralajmërojnë se në orën 18 do të grumbullohen në shesh me qëllim që të nderohen të vdekurit. Nga katedralja Shën Cirili dhe Metodi në Tetovë informojnë se tempulli do të jetë i hapur edhe sonte për besimtarët të cilët duan të nderojnë duke ndezur qirinj dhe duke bërë lutje. fc/

Fotografia: MIA