Kancelari gjerman: Fushata zgjedhore nuk është pretekst për bllokadë politike
- Kancelari gjerman Olaf Sholc u bëri thirrje deputetëve që të shmangin bllokim politik para zgjedhjeve të parakohshme, që priten në shkurt, raportoi DPA.
- Post By Fami Bajrami
- 17:13, 4 December, 2024
Berlin, 4 dhjetor, 2024 (MIA) - Kancelari gjerman Olaf Sholc u bëri thirrje deputetëve që të shmangin bllokim politik para zgjedhjeve të parakohshme, që priten në shkurt, raportoi DPA.
Duke iu përgjigjur pyetjeve në Bundestag - Dhoma e ulët e Parlamentit gjerman - Sholc u kërkoi partive opozitare të mbështesin një sërë ligjesh të rëndësishme, të propozuara nga qeveria e tij e pakicës.
"Fushata parazgjedhore nuk është kohë për pushime. Ende mund të bëjmë diçka", tha Sholc.
Pasi që koalicioni treanëtarësh i Sholcit u rrëzua në fillim të nëntorit, qeveria e tij ka qenë e varur nga mbështetja e Unionit Kristian-Demokratik konservator (CDU) ose Demokratët e Lirë (FDP), ish partner i koalicionit.
Edhe krahas kësaj, Sholc ka shprehur vazhdimisht vendosmërinë e tij për të vazhduar punën parlamentare për një sërë ligjesh para se të inicohet një votëbesim mes dhjetorit, që do të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve më 23 shkurt.
Sholc sot i theksoi çështjet e tilla siç janë ndryshimet në shkallët e taksave, rritjen e shtesës së fëmijëve dhe financimin e vazhdueshëm të subvencionit kombëtar të transportit publik, i njohur si "Dojçlandtiket".
Kancelari gjithashtu theksoi rëndësinë e çmimeve të qëndrueshme të energjisë për industrinë gjermane dhe mbrojti politikat ekonomike të qeverisë së tij.
Investimet nën administrimin e Sholcit janë shumë më të mëdha se sa kemi parë në të kaluarën, argumentoi ai, ndërkohë duke potencuar se rënia e kërkesës ekonomike globale krijon "sfidë të ndryshme" për ekonominë e orientuar eksportuese gjermane. rq/
Foto: arkivi i MIA-s