Këshilli i nderit pranë SHGM: Këshilli i Nderit pranë SHGM-së: Kultura e komunikimit dhe etika janë themeli i profesionit të gazetarisë
- 25 mars 2026
- Post By Melahat Baftija
- 13:38, 25 March, 2026
25 mars 2026
E drejta për të parashtruar pyetje lirshëm dhe për të raportuar në mënyrë kritike nga gazetarët është e patjetërsueshme dhe thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike. Megjithatë, kjo e drejtë nënkupton edhe detyrimin për respektimin konsekuent të standardeve profesionale dhe etike, gjë që nuk ishte rasti në ngjarjen e fundit, e cila lidhet me sjelljen e gazetarit Nevrij Ademi në konferencën për shtyp të ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në Tetovë. Ky rast është ndjekur me kujdes nga Këshilli i Nderit pranë SHGM-së dhe ka hapur debat publik në hapësirën mediatike.
Duke pasur parasysh rolin e gazetarëve si bartës të interesit publik dhe mbrojtës të vlerave demokratike, Këshilli rikujton se kjo e drejtë nënkupton edhe detyrimin për respektimin e vazhdueshëm të standardeve profesionale dhe etike.
Në rastin konkret, Këshilli vlerëson se mënyra e komunikimit dhe toni i qasjes së gazetarit nuk përputhen me parimet e diskursit publik dinjitoz dhe profesional. Konkretisht, neni 15 i Kodit të Gazetarëve përcakton se gazetari duhet të kultivojë kulturën e komunikimit dhe etikën, ndërsa komunikimi i papërshtatshëm me publikun nuk përputhet me profesionin e gazetarisë.
Këshilli i Nderit thekson se raste të tilla nuk kontribuojnë në rritjen e besimit në media, as në zhvillimin e një dialogu cilësor publik. Për këtë arsye, u bën apel të gjithë gazetarëve dhe punonjësve të mediave që t’u përmbahen standardeve më të larta profesionale, të kultivojnë kulturën e komunikimit dhe të kontribuojnë në ndërtimin e respektit të ndërsjellë në hapësirën publike.
Njëkohësisht, Këshilli rikujton se respekti në marrëdhëniet ndërmjet bartësve të funksioneve publike dhe mediave duhet të jetë i dyanshëm, ku institucionet kanë detyrimin të sigurojnë kushte për punë të papenguar dhe profesionale të gazetarëve. Në këtë drejtim, Këshilli thekson gjithashtu se ky rast nuk duhet të përdoret për qëllime ditore politike, as për krijimin e tensioneve shtesë apo interpretimeve të gabuara në kontekst etnik.
Këshilli i Nderit do të vazhdojë të ndjekë raste të tilla dhe, në përputhje me kompetencat e tij, të reagojë në drejtim të mbrojtjes dhe avancimit të standardeve etike në gazetari.
SHGM