Jorgensen për ENR/MIA: Do të përqendrohemi në uljen e faturave të energjisë elektrike për amvisëritë
- - Fokusi kryesor i punës sime është ulja e çmimeve të energjisë, duke siguruar sa më shumë pavarësi të jetë e mundur nga energjensat ruse dhe dekarbonizimi, theksoi euromisioneri i Energjisë dhe Banimit Den Jorgensen në intervistë me Redaksinë Evropiane të Lajmeve (ENR), pjesë e së cilës është edhe MIA.
- Post By Fitore Curri
- 09:45, 19 March, 2025

Bruksel, 19 mars 2025 (MIA) - Fokusi kryesor i punës sime është ulja e çmimeve të energjisë, duke siguruar sa më shumë pavarësi të jetë e mundur nga energjensat ruse dhe dekarbonizimi, theksoi euromisioneri i Energjisë dhe Banimit Den Jorgensen në intervistë me Redaksinë Evropiane të Lajmeve (ENR), pjesë e së cilës është edhe MIA.
"Lajmi i mirë është se për realizimin e të gjitha këtyre tre prioriteteve shumë të rëndësishme, veglat janë të njëjta. E para dhe themelorja, kalimi urgjent në shumë burime të ripërtëritshme të energjisë, zbatim të shpejtë të masave të efikasitetit energjetik dhe transparencë më të madhe në tregun e gazit. Ne do të shqyrtojmë edhe mundësinë e furnizimit të përbashkët me gaz", shprehet Jorgenseni.
Sipas tij, me masat e Planit të veprimit për energji të arritshme, që ai e prezantoi muajin e kaluar, në muajt e parë të këtij viti, deri në pranverë, do të kursehen 45 miliardë euro, ndërsa në vitet e ardhshme këto kursime do të rriten, duke arritur në rreth 130 miliardë euro në vitin 2030 dhe 260 miliardë euro në vitin 2040.
"Kjo padyshim do të bëjë dallim. Mesatarisht do të jetë më shumë se 200 euro (kursim) për amvisëri. Kjo është e rëndësishme sepse jo vetëm që ndihmon industritë tona dhe konkurrentësinë tonë, por edhe të 46 milionë njerëzve në Evropë të cilët përballen me varfëri energjetike dhe nuk janë në gjendje të ngrohin në mënyrë përkatëse shtëpitë e tyre", shprehet Jorgenseni.
Ai shtoi edhe se lartësia e faturave të energjisë elektrike, përveç vetë çmimit të energjisë, varet edhe nga shpenzimet për transmetimin e energjisë elektrike dhe tatimet, por edhe nga sistemet tarifore, me përshtatjen e të cilave sipas vëllimit të konsumit, mund të kontribuohet edhe në uljen e llogarive.
Sipas tij, është gjithashtu e nevojshme të punohet edhe në lidhje më të madhe energjetike të Evropës dhe krijimin e sistemit të vetëm elektrik.
"Analogji do të mund të ishte nëse themi se na duhen 200 autostrada për të lidhur sistemin e transportit në Evropë. Situata në energjetikë është se nëse kemi nevojë për 200 autostrada, ne kemi 100, ndërsa përdorim vetëm 50 nga ato 100. Pra, hapi i parë është të bëhemi më efikas në rrjetin dhe lidhjet që i kemi tashmë. Këtë mund ta bëjmë në mënyrë që do të digjitalizohemi, duke përdorur zgjidhje digjitale dhe inteligjencë artificiale", konsideron Jorgenseni.
Eurokomisioneri vuri në dukje edhe se që nga viti 2022, pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës, varësia nga gazi rus në BE është ulur trefish, por në të njëjtën periudhë vendet anëtare kanë shpenzuar më shumë para për blerjen e karburanteve fosile dhe energjisë ruse, sesa që i kanë dhënë ndihmë dhe subvencione Ukrainës.
"Ose thënë ndryshe, kemi shpenzuar një shumë të barabartë me çmimin e 2.400 avionëve të rinj luftarakë F-35. Kjo padyshim nuk do të mund të vazhdojë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të bëjmë më shumë për t'u bërë të pavarur nga importi rus", shprehet Jorgenseni.
Ai paralajmëroi se së shpejti do të prezantojë një udhërrëfyes për lirim nga varësia e gazit rus, në të cilin do të përdoren përvojat e tre viteve të fundit me rritjen e diversifikimit të burimeve të energjensit.
"Por, kjo nuk është diçka e thjeshtë. Nëse do të ishte e lehtë, do ta bënim që tre vjet më parë. Por, ne jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë për ta bërë atë të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur", theksoi Jorgenseni.
Për partneritetin evropiano-amerikan në fushën e energjisë, Jorgenseni shprehet se BE-ja dhe SHBA-ja nuk janë dakord për rolin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike, por megjithatë Bashkimi duhet t'u jetë falënderues atyre vendeve që e ndihmuan atë gjatë krizës energjetike.
"Po të mos ishin Norvegjia dhe SHBA-ja, sigurisht edhe të tjerët, por sidomos këto dy vende, do të ishim në probleme shumë më të mëdha sesa këto në të cilat jemi. Për momentin, SHBA-ja është furnizuesi i dytë më i madh i gazit në Evropë, pas Norvegjisë, dhe kjo është shumë, shumë e rëndësishme për pjesët e shoqërive tona që janë ende të varura nga gazi", deklaroi Jorgenseni.
Sipas tij, në kushte kur nevoja për gaz do të vazhdojë në vitet e ardhshme, është thelbësore për BE-në që të bisedojë me vende të ndryshme që mund të furnizojnë tregun evropian, e këtu janë kyçe SHBA-ja me gazin e tyre natyror të lëngshëm (GNL).
Lidhur me shqetësimet se nëse BE bëhet shumë e varur nga GNL-ja amerikane, SHBA-ja do të mund të manipulonte me çmimet e gazit në Evropë, siç ka bërë më parë Rusia, Jorgenseni shprehet se këtyre druajtjeve do t'u përgjigjet me Plan veprimi për energjinë e pranueshme, me të cilin do të përcaktohen rregulla të qarta për mënyrën e funksionimit të tregut evropian të gazit.
I pyetur nëse në kontekstin e ri gjeopolitik, energjia bërthamore mund të luajë rol më të madh në forcimin e pavarësisë energjetike të Evropës, Jorgenseni deklaroi se përdorimi i energjisë nga centralet bërthamore në dy dekadat e ardhshme, "pak a shumë", do të jet; në nivel të njëjtë siç është edhe tani.
"Diçka që mund ta ndryshojë këtë është zhvillimi i reaktorëve të vegjël modularë. Shumica e ekspertëve pohojnë se një gjë e tillë është e vështirë në të ardhmen e afërt, por po flasim për vitet 2030 dhe atëher ekziston edhe mundësia e kompletimit të teknologjive të reja, siç janë, për shembull gjenerata e katërt e gjeneratorëve bërthamorë", deklaroi Jorgenseni, duke shtuar se energjia bërthamore do të jetë e nevojshme edhe për të realizuar qëllimet e BE-së për arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050.
Eurokomisioneri në intervistën për ENR-në, pjesë e së cilës është edhe MIA, vlerësoi edhe se nuk ka prapambetje në tranzicionin e gjelbër, duke theksuar se BE mbetet jashtëzakonisht e përqendruar në përdorimin e më shumë burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe në rritjen e efikasitetit energjetik në vitet e ardhshme.
Foto: Mirko Paradiso/ENR /Arkivi i MIA-s