• Tuesday, 12 November 2024

Janevska: Shkenca është një fushë të cilës Qeveria e re po i përkushtohet seriozisht

Janevska: Shkenca është një fushë të cilës Qeveria e re po i përkushtohet seriozisht

Shkup, 10 nëntor 2024 (MIA) -  Sot shënohet Dita Botërore e Shkencës për Paqe dhe Zhvillim. Përgëzoj të gjithë shkencëtarët dhe studiuesit, të cilët me arritjet dhe sukseset e tyre personale mundohen të ndihmojnë zhvillimin e vendit. Shkenca është një fushë të cilës Qeveria e re po i përkushtohet seriozisht. Për ne është e qartë se nuk ka alternativë tjetër për prosperitet kombëtar, përveç investimit në diturinë e qytetarëve dhe në shkencë, ka shkruar në Fejsbuk ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Buxheti për veprimtarinë kërkimore-shkencore për vitin e ardhshëm, siç theksoi Janevska, do të jetë gati dyfish më i madh se ai i këtij viti, dhe synohet që në katër vitet e ardhshme të jetë së paku 1 për qind e bruto prodhimit vendor, ndryshe nga 0.3 për qind aktuale.

"Ne do të përpiqemi të krijojmë kushte më të mira për shkencën dhe kërkimin. Do të mbështesim projekte kërkimore-shkencore me interes publik dhe aktivitet më të madh të laboratorëve brenda institucioneve publike shkencore dhe të arsimit të lartë. Ne do të ofrojmë burime të reja të literaturës shkencore. Financimi i punimeve shkencore të botuara. Organizimi i konferencave shkencore vendase dhe pjesëmarrja në evente ndërkombëtare. Vazhdon ndarja e bursave për studime të ciklit të dytë dhe të tretë në vend, por edhe jashtë vendit, në 100 universitetet më të mira botërore, për të tërhequr më shumë të rinj me potencial për hulumtim dhe inovacion", thekson Janevska.

Sipas saj, i rëndësishëm do të jetë miratimi i Ligjit të ri për Veprimtarinë Kërkimore Shkencore, i cili do të zhvillohet së bashku me palët e interesuara dhe komunitetin profesional.

"Sinqerisht pres mbështetje nga komuniteti i biznesit, por edhe nga të gjithë aktorët e tjerë që e shohin shkencën si një shtyllë të rëndësishme të shoqërisë dhe që mund të ndihmojnë në çdo mënyrë për ta forcuar atë. Vetëm me unitetin e synimeve mund të arrijmë qëllimet dhe të ecim përpara. Gëzuar 10 Nëntorin – Ditën Botërore të Shkencës", ka shkruar Janevska në Fejsbuk. sa/

Foto: Fejsbuku i Vesna Janevskës