Irani kërcënon se do të tërhiqet nga armëpushimi dhe përsëri e ndaloi trafikun në Ngushticën e Hormuzit
- Irani po shqyrton mundësinë për tërheqje nga armëpushimi dyjavor i rënë dakord me Shtetet e Bashkuara për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Liban, njoftoi agjencia e lajmeve "Fars", duke theksuar se në shenjë proteste trafiku përmes Ngushticës së Hormuzit është ndaluar përsëri.
Teheran, 8 prill 2026 (MIA) - Irani po shqyrton mundësinë për tërheqje nga armëpushimi dyjavor i rënë dakord me Shtetet e Bashkuara për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Liban, njoftoi agjencia e lajmeve "Fars", duke theksuar se në shenjë proteste trafiku përmes Ngushticës së Hormuzit është ndaluar përsëri.
Sipas agjencisë, vetëm dy anije cisternë kaluan nëpër ngushticë përpara se trafiku të pezullohej përsëri. Duke cituar një burim të informuar, "Fars" thekson se Teherani do të tërhiqet nga marrëveshja si përgjigje ndaj sulmeve izraelite ndaj Hezbollahut, i cili konsiderohet aleati më i rëndësishëm i Iranit në rajon.
Ndërkohë, qeveria iraniane ka kërkuar nga Uashingtoni të sqarojë urgjentisht qëndrimin e saj mbi marrëveshjen e armëpushimit.
"Kushtet për armëpushim midis Iranit dhe SHBA-së janë të qarta dhe eksplicite: SHBA-ja duhet të zgjedhë - një armëpushim ose vazhdimin e luftës përmes Izraelit. Nuk mund t'i kenë të dyja", shkroi Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi në një postim në rrjetin social "Iks". Ai shtoi se bota është dëshmitare e masakrave në Liban dhe se përgjegjësia tani i takon SHBA-së, e cila duhet të tregojë nëse do t'i përmbushë detyrimet e saj.
Edhe pse kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif njoftoi se armëpushimi në mënyrë të qartë ka të bëjë edhe për Libanin, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi më vonë se marrëveshja mbulon vetëm konfliktin midis SHBA-së dhe Iranit.
Edhe presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, deklaroi gjithashtu se armëpushimi nuk vlen për Libanin, pasi ishte një konflikt i veçantë. ls/
Foto: DPA