• Thursday, 09 April 2026

Hezbollahu: Sulmet ndaj Izraelit do të vazhdojnë

Hezbollahu: Sulmet ndaj Izraelit do të vazhdojnë

 Bejrut, 9 prill 2026 (MIA) - Grupi militant Hezbollah i mbështetur nga Irani ka njoftuar se do të vazhdojë sulmet e tij ndaj Izraelit pas sulmeve ajrore vdekjeprurëse izraelite në Liban.

 Në përgjigje të "shkeljes së armëpushimit" nga ana e Izraelit, Hezbollahu bëri të ditur se gjatë natës bombardoi vendbanimet në Izraelin verior.

 Grupi theksoi se sulmet e tij hakmarrëse do të vazhdojnë derisa të ndalet agresioni izraelito-amerikan.

 Sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, në sulmet  e djeshme izraelite ndaj Libanit janë vrarë të paktën 182 persona.

 Pavarësisht një armëpushimi dyjavor të rënë dakord midis ShBA-së dhe Iranit, Izraeli ka thënë se do të vazhdojë sulmet e tij ndaj Hezbollahut. Ndryshe nga Irani, ShBA nuk e konsiderojnë Libanin pjesë të marrëveshjes së armëpushimit.

 Irani, sipas informacioneve të publikuara në mediat në Teheran, po shqyrton tërheqjen nga marrëveshja për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite ndaj Hezbollahut.

 Izraeli gjatrë ditës së djeshme kreu sulme intensive ndaj Libanit, me kryeministrin Benjamin Netanjahu që sqaroi se armëpushimi i rënë dakord nuk vlen për operacionet izraelite në Liban.

 Sipas ushtrisë izraelite, objektivat e sulmeve ishin pozicionet komanduese të Hezbollahut dhe infrastruktura ushtarake, ndërsa autoritetet libaneze tregojnë për një numër të madh viktimash civile.

 Pas fillimit të luftës me Iranin, Hezbollahu rifilloi sulmet ndaj Izraelit, të cilave Izraeli iu përgjigj me sulme masive ajrore dhe operacione tokësore në Liban. Hezbollahu konsiderohet aleati më i rëndësishëm i Iranit në rajon.

 Foto: Arkivi i MIA-s