• Sunday, 28 July 2024

Gashi i dënon kërcënimet ndaj deputetëve, bën thirrje që kompetentët ta hetojnë incidentin

Gashi i dënon kërcënimet ndaj deputetëve, bën thirrje që kompetentët ta hetojnë incidentin

Shkup, 27 korrik 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka njoftuar se deputetët e BDI-së kanë marrë porosi elektronike me kërcënime nga një dërgues i panjohur dhe bën thirrje që institucionet kompetente ta hetojnë incidentin.

I shqetësuar nga këto mesazhe, siç bën të ditur shërbimi për informim i Kuvendit, kryetari Gashi tashmë i është drejtuar kolegëve të BDI-së dhe institucioneve kompetente për të hetuar incidentin.

"Kryetari i Kuvendit dënon ashpër çdo formë kërcënimi, tentativë për dhunë apo nxitje për dhunë. Deputetët zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët dhe  liria e fjalës është e pacenueshme, ajo nuk duhet të kërcënojë lirinë e të tjerëve. Anonimiteti në dërgimin e mesazheve të tilla ose në mediat sociale mund t'i japë dërguesit  ndjenjë mosndëshkimi, por duhet të pranojmë që institucionet tona janë aktive dhe të afta. Kryetari Gashi është i bindur se dërguesi do të identifikohet dhe sanksionohet", qëndron në kumtesë.

Në shoqëritë demokratike, siç bëhet e ditur, nuk ka vend për kërcënime, ngacmime në asnjë formë. 

"Kryetari Gashi fton dhe inkurajon të gjitha institucionet kompetente që të veprojnë menjëherë në këtë rast. Kryetari Gashi thekson se  ndan shqetësimin e deputetëve dhe familjeve të tyre. Në momentin që institucionet japin ndonjë informacion për rastin në fjalë, mediat do të njoftohen menjëherë nga Kabineti i Kryetarit",bëhet e ditur në kumtesë. 

Ministria e Punëve të Brendshme mbrëmë ka njoftuar se më 25 të këtij muaji në ora 13:58 në stacionin policor "Qendër", përfaqësues i një partie politike ka raportuar se më 23 korrik 2024 në ora 18:15, nga një adresa e panjohur elektronike, në adresat zyrtare elektronike të disa deputetëve në Kuvend ishte dërguar porosi me përmbajtje kërcënuese. 

Nga MPB bënë të ditur se për ngjarjen është njoftuar Njësiti për Krim Ekonomik dhe Kompjuterik në kuadër të SPB Shkup dhe se po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s