• Tuesday, 18 March 2025

Filipçe: Hetim i plotë dhe transparent për të rikthyer besimin tek institucionet

Filipçe: Hetim i plotë dhe transparent për të rikthyer besimin tek institucionet

Shkup, 17 mars 2025 (MIA) - Lideri i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, sot para mediave ka kërkuar hetim të plotë, transparent dhe objektiv për shkaqet e fatkeqësisë në Koçan, që në këtë mënyrë të rikthehet, siç tha, "besimi i rrënuar i qytetarëve në institucionet e shtetit".

"Ne jemi sot një shoqëri e plagosur, besimi te institucionet është rrënuar dhe nëse duam ta rikthejmë atë duhet të ketë një hetim të plotë, transparent dhe objektiv. Askush nuk duhet të kursehet, as zyrtarët aktual dhe as zyrtarët e kaluar. Kjo nuk është çështje politike, por e së vërtetës dhe e drejtësisë. Tragjedia është shumë e madhe për të lejuar qoftë edhe një grimcë dyshimi, nëse ka edhe treguesin më të vogël se dikush po mbrohet, kjo do të jetë një goditje për të gjithë shoqërinë. Prandaj u bëj apel organeve të hetuesisë, Prokurorisë që të raportojnë rregullisht, nëse është e nevojshme, dy herë në ditë, për të parandaluar spekulimet. Duhet përgjegjësi nga të gjithë, nga të gjithë ne si qytetarë", tha Filipçe në konferencën për media të thirrur me rastin e fatkeqësisë së madhe që ndodhi pardje në Koçan, ku nga zjarri humbën jetën 59 të rinj.

Sipas Filipçes, tani nuk është koha për kalkulime politike, por një moment kur në vend duhet treguar humanizëm dhe nuk është koha për të politizuar ngjarjen tragjike.

Siç theksoi ai, situata kërkon kohezion në shoqëri dhe besim në parime. Ai poashtu theksoi se çdo akt i përgjegjësisë morale do të mirëpritet nga LSDM-ja.

Filipçe ka shfrytëzuar rastin për të shprehur ngushëllimet e tij për familjet e të ndjerëve, të atyre që humbën më të dashurit e tyre në tragjedinë që tronditi mbarë vendin.

Si mjek me profesion, ai tha se që nga momenti i fatkeqësisë ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kolegët e tij nga Qendra klinike në Shkup, duke i siguruar të gjithë të lënduarit dhe të hospitalizuarit se të gjithë pacientët janë duke u kujdesur sa më mirë, se janë në duart e ekipeve mjekësore të testuara dhe të dëshmuara.

Filipçe apeloi edhe deri tek ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, që të formohen ekipe mobile nga Klinika psikiatrike dhe institucionet tjera për të mbështetur familjet e të lënduarve dhe viktimave në fatkeqësi. qa/

Foto/video: LSDM