Fetai: Pas 22 viteve do të kemi ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat
- Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai në intervistë për emisionin ZOOM në TVM2, ka theksuar se qeveria e kaluar ka dhënë pëlqim për heqjen e balancuesit. Sipas tij, anëtarët e gjykatës kushtetuese të votuar nga LSDM dhe BDI e kanë votuar heqjen e balancuesit.
- Post By Besnik Shuki
- 07:03, 8 January, 2025
Shkup, 8 janar 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai në intervistë për emisionin ZOOM në TVM2, ka theksuar se qeveria e kaluar ka dhënë pëlqim për heqjen e balancuesit. Sipas tij, anëtarët e gjykatës kushtetuese të votuar nga LSDM dhe BDI e kanë votuar heqjen e balancuesit.
Fetai thotë se shumë shpejtë do të kemi edhe mekanizëm ligjorë që do të zgjidhë këtë problem 22 vjeçarë me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.
“Edhe në këtë fushë, sikur në fushat tjera, po sanojmë dëmet e qeverisjes 22 vjeçare të BDI-së. Parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat është pjesë e Kushtetutës çysh nga MO. Pra 22 vite e kemi këtë parim dhe asnjëherë nuk ka patur mekanizëm ligjorë i cili ka garantuar zbatimin e tij. Ka patur një vegël e quajtur “Balanseri”, dhe te Balanseri është me rëndësi të theksohet se nga qeverisja paraprake në strategjinë për administratën publike është pajtuar për heqjen e balanserit dhe të njëjtin e kanë nënshkruar edhe ministrat e BDI-së, ku të gjithë njëzëri janë pajtuar se balanseri nuk duhet të ekziston më. Duke marrë parasysh këtë disponim politik të qeverisjes paraprake, gjykata kushtetuese, që është gjykatë që është votuar, secili nga ata gjykatës janë votuar nga qeverisja paraprake me votat e LSDM-së dhe BDI-së, e kanë shfuqizuar balanserin. Dhe në kuadër të marrëveshjes brenda koalicionit me VMRO-DPMNE-në jemi pajtuar që në këtë drejtim duhet të sjellim një zgjidhje ligjore. Zgjidhja ligjore do të zgjidh një problem të vjetër 22 vjet. Kemi patur shumë takime në kuadër të grupit punues, e kam edhe një takim pas këtij emisioni sonte, ku do e shohim draftin pothuajse përfundimtarë të ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Pra për herë të parë pas 22 vite, pas futjes së parimit për përfaqësimit të drejtë dhe adekuatë në Kushtetutë, kemi ligj për të përkthyer këtë parim në obligime konkrete dhe mekanizma, mbikëqyrje, zbatimi nga autoritet që do të krijohen me qëllim të zbatimit të këtij ligji”, tha Fetai.
Ndërkaq, për ish bashkëpartiakun e tij Ziadin Sela ai thotë është transformuar në patericë të BDI-së.
"Qytetarët e shohin këtë dhe se i njëjti ka humbur çdolloj legjitimiteti që mund të ketë patur në të kaluarën. Për Ziadin Selën, më vjen keq transformimi i atij njeriu. Më vjen keq se deri në çfarë mase ka degraduar duke sulmuar me një gjuhë të ulët në vazhdimësi, bashkëpunëtorë, njerëz shumë të afërt, miq për vite e vite me radhë, veçanërisht doktor Arben Taravarin. Besoj këtë e kanë parë edhe qytetarët, janë dëshmitarë të transformimit të zotëriut në fjalë i cili realisht ka humbur çdolloj legjitimiteti që mund të ketë patur në të kaluarën duke vendosur të bëhet patericë e BDI-së dhe argat të atij të cilët e kishte akuzuar për tentim për ta eliminuar fizikisht. Është për keqardhje, por kjo është në ndërgjegjen e tij”, thotë Fetai.
Top prioritet i qeverisë, theksoi ai në intervistë, është hapja e negociatave me BE-në.
"Vazhdimi i rrugës europiane dhe hapja e negociatave me BE-në janë top prioritetet e kësaj qeverie. Më pas janë decentralizimi, zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër korrupsuionit", deklaroi zëvendëskryeministri.
Ai madje foli edhe për ndryshimet kushtetuese ku tha se po punojnë vazhdimisht për të tejkaluar edhe pengesën e fundit drejt hapjes së negociatave me BE-në.
“Kur jemi te ndryshimet kushtetuese, kemi parasysh se jemi qeveri e je tanimë gjashtë muaj. Ndryshimet kushtetuese kanë qenë prioritet edhe i qeverisjes paraprake, ata për çdo vit kanë festuar hapjen e negociatave, i mbani mend fotografitë e Bujar Osmanit nga aeroplani i qeverisë në vitin 2017 apo 2018 kur festonin hapjen e negociatave, të gjithë e kanë të qartë, ashtu siç e kemi thënë ne nga opozita atëherë, ky ka qenë një mashtrim i madh negociatat me BE-në nuk janë hapur. Në lidhje me ndryshimet kushtetuese ne e dimë kemi kornizë negociuese me BE-në e cila është miratuar nga qeverisja paraprake përfshirë edhe me votat e opozitës, ne atëherë e kemi votuar propozimin francez dhe e dimë se çfarë detyrash kemi para nesh. Megjithatë, duhet të kuptohen dy gjëra, e para është se në Bullgari vazhdon jostabiliteti politik. Kemi patur atje shtatë palë zgjedhje me radhë të cilat nuk kanë zgjedhë një qeveri me mandat politik me të cilën mund të dialogojmë për të tejkaluar këtë pengesë të fundit për hapjen e negociatave. Dhe te çështja e dytë duhet ta kemi parasysh edhe një gjë, ajo është që me këto numra që kemi në Parlament, ndryshimet kushtetuese pa deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk mund të bëhen. Deklaratat e VMRO-DPMNE-së i keni dëgjuar edhe gjatë fushatës, e dëgjoni edhe kryeministrin dhe qeverinë tonë në lidhje me, si të them, garanca apo siguri që mund të marrim si qeveri e re, që me futjen e bullgarëve në kushtetutë që nga Bullgaria të mos kemi veto të re. Por duhet patur parasysh që në BE kemi patur edhe zgjedhje dhe kjo ka marrë kohë, zgjedhje në SHBA dhe rrethanat janë këto që janë. Unë besoj dhe uroj që shpejt do të gjendet një zgjidhje për të tejkaluar këtë pengesë të fundit dhe për ti filluar negocitat me BE-në”, ka theksuar Fetai në intervistë për emisionin ZOOM në TVM2. bsh/