• Sunday, 09 March 2025

Dita ndërkombëtare e grave: Gra më të forta, rajon më i fortë dhe më i sigurt

Dita ndërkombëtare e grave: Gra më të forta, rajon më i fortë dhe më i sigurt

Shkup, 9 mars 2025 (MIA)- Dje, ndërsa bota shënoi Ditën Ndërkombëtare të Grave, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) rikonfirmoi përkushtimin e tij për fuqizimin e grave në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Kontributet e grave në biznes, arsim, politikë dhe inovacion janë forca shtytëse e shoqërive tona, megjithatë sfidat për arritjen e barazisë së plotë gjinore mbeten ende aktive.

Madje, më shumë se gjysma e popullsisë në Ballkanin Perëndimor janë gra dhe pothuajse gjysma e fuqisë punëtore përbëhet nga gra. Gjatë viteve kemi parë përparime – rritje të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, reforma politike dhe përpjekje më të forta avokuese. Megjithatë, realiteti mbetet i vështirë: gratë ende fitojnë 16% më pak se burrat, vetëm 1 në 7 menaxherë të nivelit të lartë është grua dhe vetëm 1 në 3 vende në parlament mbahet nga një grua. Përparimi është i dukshëm, por po ashtu edhe puna që mbetet për t’u bërë.

“Çdo ditë, gratë në Ballkanin Perëndimor tregojnë qëndrueshmëri dhe lidership të jashtëzakonshëm në fusha të ndryshme, por pengesat strukturore vazhdojnë të kufizojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë. Mbyllja e këtij hendeku nuk ka të bëjë vetëm me drejtësinë – ka të bëjë me shfrytëzimin e plotë të potencialit ekonomik dhe social të rajonit tonë”, tha Sekretari i përgjithshëm i RCC, Amer Kapetanoviq.

RCC ka qenë në ballë të përpjekjeve rajonale për të avancuar fuqizimin ekonomik të grave. Gjashtë vite më parë, RCC nisi fushatën “Fuqizimi i grave në sipërmarrje” (WE), e cila çoi në krijimin e Rrjetit rajonal të grave sipërmarrëse dhe ceremoninë  vjetore për celebrimin e “Grave sipërmarrëse të vitit në Ballkanin Perëndimor”. Këto iniciativa, pjesë e Planit të veprimit për Tregun e përbashkët rajonal, lartësojnë dhe mbështesin gratë sipërmarrëse që sjellin ndryshime në komunitetet dhe industritë e tyre.

Më 13 Mars 2025 në Prishtinë, RCC do të shpallë gratë sipërmarrëse të vitit 2024 në Ballkanin Perëndimor, duke vazhduar traditën e tij të vlerësimit të grave të jashtëzakonshme që kanë ndikim në ekonominë rajonale. Tani në edicionin e katërt, kjo njohje shërben si një kujtesë e fuqishme se fuqizimi i grave nuk është një angazhim njëditor – është një mision i përditshëm.

Ndërsa sot festojmë arritjet e grave, RCC bën thirrje për përpjekje të vazhdueshme kolektive për të nxitur mundësi të barabarta. Sepse gra më të forta nënkupton ekonomi më të forta, shoqëri më të forta dhe, në fund, një rajon më të fortë dhe më të sigurt.