• Monday, 01 July 2024

Despotovski: Një numër i madh i anëtarëve të LSDM-së janë pamundësuar të votojnë, të gjitha këto raste evidentohen

Despotovski: Një numër i madh i anëtarëve të LSDM-së janë pamundësuar të votojnë, të gjitha këto raste evidentohen

Shkup, 30 qershor 2024 (MIA) - Kandidati për lider të ri të LSDM-së, Jovan Despotovski sot pas votimit në Komunën e Karposhit deklaroi se pret që deri në fund të respektohet parimi i procesit zgjedhor demokratik, por theksoi se ka informacione për një numër të madh të anëtarëve të partisë që janë pamundësuar të votojnë. LSDM, siç tha ai, është parti politike që nuk duhet të lejojë në asnjë moment që anëtarët e saj t’i kthejë nga vendvotimet.

"Sot është një ditë e madhe për LSDM-në. Sot ne zgjedhim kryetar të partisë. Është mirë që njerëzit dalin dhe votojnë. Unë pres që gjithë energjinë që arritëm ditëve të fundit ta mobilizojmë, energji për ndryshim, sot të ketë efekt, pra të ndodhë përmes votimit. Pres deri në fund të ditës të respektohet parimi i procesit zgjedhor demokratik dhe anëtarët e LSDM-së të zgjedhin një fillim të ri që duhet të fillojë nga nesër", tha Despotovski.

Është shqetësuese, siç tha ai, që në rrjedhën e votimit të deritanishëm ka një numër të madh anëtarësh të LSDM-së të cilët janë pamundësuar të votojnë edhe pse kanë gjithçka që është e nevojshme për të votuar.

"Me ekipin tim disa ditë kemi biseduar për këtë temë, kemi paraqitur edhe kërkesë zyrtare që t’u mundësohet të gjithë atyre anëtarëve të partisë që do të paraqiten në qendrat e votimit, të mund të realizojnë të drejtën e garantuar me Kushtetutë. Të gjitha këto raste janë evidentuar gjithandej, kemi kontroll në çdo vendvotim dhe në të gjitha organizatat komunale. Pavarësisht nga rezultati i votimit, do të duhet t'i përkushtohemi si parti politike në ditët në vijim për të zbardhur të gjitha këto raste", shton Despotovski.

Ai ka thënë se LSDM-ja është parti politike që në asnjë moment nuk guxon t'i lejojë që anëtarët e saj t’i kthejë nga vendvotimet, veçanërisht të mos ia lejojë vetes atë "luks" në situatën në të cilën janë tani, kur realisht çdo anëtar është i rëndësishëm.

I pyetur për koment në lidhje me tërheqjen e kandidaturës së ish ministres së Mbrojtjes dhe deputete aktuale Sllavjanka Petrovska, Despotovski u përgjigj se ende pret dëshmitë për parregullsitë e pretenduara.

"Pres të shoh provat që Sllavjanka i paralajmëroi si parregullsi në rrjedhën e procedurës. Pasi ato dëshmi të prezantohen, unë dhe ekipi ynë juridik me të cilin punojmë do të japim mendimin tonë", shtoi Despotovski.

Foto: MIA