• Sunday, 29 September 2024

Bjuland: SHBA-ja fuqimisht e përkrah Marrëveshjen e Prespës dhe shpreson se kontestet bilaterale do të mbeten jashtë NATO-s

Bjuland: SHBA-ja fuqimisht e përkrah Marrëveshjen e Prespës  dhe shpreson se kontestet bilaterale do të mbeten jashtë NATO-s

Shkup, 6 shkurt 2024 (MIA) - SHBA-ja fuqimisht e përkrah Marrëveshjen nga Prespa dhe shpreson se kontestet bilaterale do të mbeten jashtë NATO-s, deklaroi në intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, drejtori kryesor për Evropë dhe NATO në Pentagon, Olton Bjuland, para shënimit të 75 viteve të Aleancës veriatlantike, javën e ardhshme në Uashington.

"Çdoherë i inkurajojmë aleatët dhe partnerët tanë që t'u përmbahen marrëveshjeve dhe t'i lënë kontestet dhe mosmarrëveshjet bilaterale jashtë NATO Aleancës, që të sigurohet se ka bashkëpunim dhe stabilitet rajonal në rajonin e juaj", tha Bjuland.

Ai tha edhe se shtetet nga Ballkani Perëndimor duhet t'i bëjnë reformat e nevojshme për hyrje në BE, si dhe se procesi i gjatë i integrimit mund të sjell që Rusia dhe "aktorët tjerë malinjë" ta shfrytëzojnë pakënaqësinë e popullit.

"Anëtarësimi i BE-së gjithsesi është vendim i Bashkimit Evropian dhe vendeve-anëtare. Megjithatë, SHBA-ja çdoherë ka qenë ithtar i fuqishëm i integrimeve euroatantike të Ballkanit Perëndimor. Ne vazhdojmë t'i inkurajojmë vendet t'i bëjnë reformat e nevojshme në atë rrugë dhe t'u përmbahen marrëveshjeve ndërkombëtare. Mendoj se kur ekziston mostolerancë për atë që mund të jetë proces i gjatë i integrimit, kjo mund të krijojë mundësi për zhgënjim, dhe Rusia dhe aktorët tjerë malinjë të përhapin dezinformata dhe ta shfrytëzojnë pakënaqësinë e popullit", tha mes tjerash drejtori për Evropë dhe NATO në Pentagon.

Bjuland për komente për çështje konkrete politike e rekomandon Departamentin e Shtetit.

"Për probleme politike si ky, e posaçësirsht atë bilateral, përsëri, do t'u rekomandoja të drejtoheni tek kolegët tanë nga Departamenti amerikan i Shtetit, të cilët e udhëheqin diplomacinë tonë. Nga pikëpamja e Repartit për mbrojtje, fuqimisht e përkrahim Marrëveshjen nga Prespa. Edhe ne fuqimisht e përkrahim anëtarësimin në NATO dhe kontributet e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që t'i përforcojmë ato lidhje në Aleancë dhe të vazhdojmë ta bëjmë këtë aleancë më të suksesshme dhe më të fuqishme në histori të botës", tha Bjuland.

Drejtori kryesor për Evropë dhe NATO në Pentagon, Bjuland thotë se me padurim i pret liderët që t'u bashkangjiten në shënimin e 75 viteve të NATO-s, javën e ardhshme në Uashington. bsh/

Foto: Zëri i Amerikës