• Thursday, 09 January 2025

BDI: Mickoski, dje, zbuloi planin për të degraduar gjuhën shqipe – Nuk kalon!

BDI: Mickoski, dje, zbuloi planin për të degraduar gjuhën shqipe – Nuk kalon!

Shkup, 8 janar 2025

Deklarata e djeshme e Kryeministrit zbuloi qartë synimin e tij për të degraduar statusin zyrtar të gjuhës shqipe, duke e kthyer atë në një formulë të tejkaluar dhe të papranueshme, siç ishte në Ligjin e vitit 2008, ku shqipja përdorej vetëm me kërkesë të shqiptarëve dhe përmes plotësimit të formularëve të veçantë.

Kjo është një përpjekje e hapur për të zhbërë të drejtën e gjuhës të garantuar me Kushtetutë dhe  me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve të vitit 2018, i cili e bëri gjuhën shqipe zyrtare në të gjitha institucionet qendrore. 

Tashmë është e qartë se qeveria nuk e njeh këtë realitet dhe po përgatit terrenin për ta anuluar këtë ligj përmes Gjykatës Kushtetuese.

Për BDI-në, ky është një veprim i papranueshëm dhe nuk do të lejojmë që gjuha shqipe të kthehet në një status dytësor e të kushtëzohet nga burokracia apo vullneti politik i dikujt. 

Ne do të përdorim të gjitha mjetet politike, ligjore dhe demokratike për të kundërshtuar këtë prapakthim dhe për të mbrojtur të drejtat tona të fituara me sakrificë.

I bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që të jenë të vetëdijshëm për rrezikun që po i kanoset gjuhës shqipe dhe të qëndrojnë të bashkuar kundër kësaj përpjekjeje për të ulur statusin politiko juridik të shqiptarëve.

Bashkimi Demokratik për Integrim

____________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.